Alket Hyseni: Rruga Tiranë-Sarandë shumë shpejt për 3 orë, 100 për qind do jem kandidat për deputet
Shumë shpejt për të shkuar nga Tirana në Sarandë do të duhen vetëm 3 orë. Deputeti i Partisë Socialiste i kësaj zone tha për emisionin HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU se rruga e re e Kardhiqit do t’i japë tjetër dimension zonës dhe për më tepër që do bëhet për gati gjysmën kohës që bëhej deri tani.
-Çfarë investimesh priten të mbarojnë në Sarandë?
-Saranda duke filluar që me rrugën e madhe e cila përfundon vitin që vjen, pra rruga e Kardhiqit, është rruga që do afrojë Sarandën me Tiranën. Nuk shkohet më nga Gjirokastra dhe nga Muzina, por sapo shkon në Kardhiq devijon rruga dhe në mes maleve, në Delvinë, dhe më pas në Sarandë. Delvina nuk është më një xhep, por ridel në rrugë nacionale. Kardhiq-Delvinë e kemi filluar dhe do ta mbarojmë vitin tjetër.
-Sa do zgjasë rruga nga Tirana në Sarandë pas përfundimit të saj?
-Më pak se tre orë.
Hyseni shpreh bindjen se do jetë në listën që do miratojë Kryesia e PS për shkak të punës që ai ka bërë në vite si deputet.
-Po t’i pyesësh të gjithë kandidatët do thonë që ne jemi më të mirët, po ka një vlerësim për punën e tyre, një vlerësim që nga baza deri te grupi parlamentar, ka filtra për t’u votuar, për t’u prodhuar kandidatura dhe në fund i përcillen kryesisë së partisë e cila vendos. Është kryesia që prodhon listën. Unë për vete jam 100% i sigurtë që do të jem. Sepse kam punën dhe rezultatet e mia shumë të mira.