Tatzati i Delvinës me 50 banorë pa qendër shëndetësore: Shkojmë me barelë në fshatin fqinj
Ky është fshati Tatzat i Delvinës, i ngritur mbi këtë kodër. Banesat 100 vjeçare me gurë dhe rrugët me kalldrëm e bëjnë të ngjashme me Gjirokastrën.
Në këtë objekt të shkatërruar që dikur ishte xhami bëhej dhe mësim në tre gjuhë, shqip, greqisht dhe turqisht.
“Ky fshat ka pasur njerëz me shumë kulturë. Mësues nga ky fshat kanë shkuar deri në Dibër kanë mësuar Haxhi Lleshin”, tregon një i moshuar.
Po sot shkolla frekuentohet vetëm nga pak fëmijë. Të rinjtë numërohen me gishtat e dorës. Tani jetojnë rreth 50 banorë.
“Tatzati siç e shihni është shkretëtirë. Na ikën të rinjtë, kemi mbetur ne pleqtë. Një të ri që kemi është shofer. Këtu është varfëri.. tmerr, ndaj iku rinia. Më parë kishte alegri”, tregon një tjetër e moshuar.
Shërbimet shëndetësore nuk marrin dot. Në fshat nuk ka ambulancë.
“Nëse sëmuresh këtu , je i vdekur, sepse nuk ka asgjë. U sëmura para 7 vjetësh më morën me barelë e më çuan në Kalasë”, tregon ajo.
Por që të mbërrish në këtë fshat duhet të udhëtosh me mjete të larta se rruga nuk është investuar prej së paku 30 vjet. Ndërsa rrugët brenda fshatit përpiqen ti restaurojnë vetë.
“Mezi bëmë një xhade, në fillim e nisëm vetëm me kazma. E bënë njëherë, ndërsa tani s’kemi”, u shpreh një qytetare.
“Po deshën këta të mëdhenjtë që jetojnë në qytetet rrugët i bëjnë”, u shpreh ai.
Kjo e moshuar është përballur disa vite më parë me kandidatë për deputetë, por fjalën deri më sot nuk ja ka dëgjuar askush.
Ky i moshuar thotë se para demokracisë ishin më mirë.
“Në atë kohë për disa gjëra ishim më mirë. Ato 50 vjet ishim më mirë. Po tani ka disa gjëra të tjera, pasi njeriu ka të drejtën e fjalës”, u shpreh një banor i kësaj zone.
Banorët janë të varfër, ndihmohen kryesisht nga fëmijët që ju kanë emigruar, kultivojnë dhe rrush të cilin e bëjnë raki të cilin e tregtojnë për të fituar pak para. Ndërsa me produktet e tjera bujqësore dhe ato blegtorale ushqehen vetë.