Shfrytëzim më i mirë i potencialit të aktivitetit lundrues/ Klosi: Hapet rruga për ndryshime në Kodin Detar
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se projektligji “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të argëtimit, me motor me fuqi mbi 30 kw ose 40.8 kf dhe me tonazh nën 150 gt”, i shërben shndërrimit të Shqipërisë në një destinacion të qëndrueshëm turistik, jo vetëm për sa i takon bukurive natyrore apo investimeve moderne në hoteleri, por me synimin e shfrytëzimit më të madh të potencialeve detare.
Gjatë diskutimit të tij në seancën plenare të Kuvendit, Klosi tha se “ky projektligj vjen pas diskutimit të gjerë nga të gjitha institucionet e linjës dhe është ligji në radhë pas ndryshimeve në ligjin për turizmin detar dhe ndryshimeve të normës fiskale të mjeteve lundruese”.
“Industria e turizmit në Shqipëri varet në një pjesë të madhe nga deti dhe llojet e
turizmit të lidhura me të, por njё rol jo pak tё rёndёsishёm luajnë edhe lundrimi
në ujërat e brendshme tokësore si liqene dhe lumenj të lundrueshëm”, – tha Klosi.
Ai informoi se, tashmë është miratuar harta e zonave ku bëhet lundrim, ndërsa po bëhen përpjekje për të miratuar rregullat mbi të cilat do të zhvillohet turizmi detar. “Por them se legjislacioni shqiptar ka shumë mundësi për të hapur hapësira të tjera mbi ligjin e detit dhe mënyrën sesi funksionon aktiviteti detar”, – vuri në dukje ministri.
Klosi tha se “Ky ligj që diskutojmë sot synon të modernizojë të gjithë këtë sistem. Ky ligj i hap rrugë ndryshimeve në Kodin Detar dhe një konkurrence normale në rajon. Ligji sjell lehtësitë për lundrimin detar dhe i hap rrugë rritjes së përfitimeve ekonomike për familjet që operojnë në këtë sektor”.