Kujtimi i Kacifas, media greke: Shqiptarët provokojnë, dronët dje fluturonin mbi minoritarët
Një prej medieve në Greqi shkruan se ceremonia përkujtimore për 2 vjetorin e vrasjes së Konstantinos Katsifas në Bularat u zhvillua dje në një klimë terrori.
Sipas tyre, fshati ishte i rrethuar nga agjentët e anti-terrorit dhe dronë për të kontrolluar lëvizjet e minoritarëve.
“Në një klimë ndalimesh të rrepta, për shkak të pandemisë, me forcat e anti-terrorit shqiptare që kishin rrethuar fshatrat grekë të Dropullit dhe dronët e policisë që fluturonin mbi shtëpinë e familjes dhe vendin e ekzekutimit, u mbajt ceremonia përkujtimore për vrasjen e Konstantinos Katsifas.
Në një situatë të vështirë, të afërmit, miqtë dhe bashkëfshatarët u gjendën pranë familjes Katsifas, të cilët ende janë duke pritur raportin për vdekjen e Konstantinos, ndërsa nuk gjejnë qetësi nga shqetësimet e vazhdueshme dhe provokimet e shtetit shqiptar” shkruan epirustv.news.
Nëna e Kacifas, Maria shprehu shqetësim për zvarritjen e hetimeve nga prokuroria shqiptare. “Kërkoj të shoh përballjen e djalit tim. Pse e fshehin videon? Pse nuk na e japin? Ai ishte një djalë trim në mbrojtje të asaj që besonte të kombit dhe etnisë sonë.
Djali im, sado që të duan ata ta mbulojnë, është një yll në qiell që ndriçon gjithë helenizmin dhe gjithë Vorio Epirin.
Nuk preku askënd djali im. Mund t’i kishte vrarë të gjithë, por falënderoj Zotin që nuk ka vrarë njeri. E ndiqnin 40-50 vetë, gjithë Renea. Çfarë bëri djali im? Ngriti flamurin? Flamuri na takon, doni apo s’doni ju. Jemi grekë dhe grekë do vdesim”, u shpreh ajo.