Klosi: Rruga e ‘Syrit të Kaltër’ rregullohet nëse shtohen fondet, të investojmë në hotele dhe në pikat turistike!
Pas ministres Balluku edhe ministri i Turizmit Blendi Klosi ka rezerva për buxhetin që i është caktuar nga ministria e Financave për vitin që vjen.
“Realisht unë mund të them që jemi po në të njëjtat nivele si viti 2020, pavarësisht goditjes që kemi marrë nga pandemia dhe mund të them se jemi një nga sektorët më të goditur”, tha Klosi.
Për vitin 2021 kësaj ministrie i janë akorduar 2.218 miliardë lekë nga 2.219 miliardë që kishim në këtë vit. Klosi tha se duhet më shumë mbështetje për strukturat akomoduese si dhe trashëgiminë natyrore.
“Ne kemi objektivin që në vitin 2021 por më shumë në vitin 2022 ne presim një hov të madh turistësh për të arritur objektivin në 7 milionë turistë në vit. Por viti 2020 tregoi që ne nuk ishim të përgatitur për një numër të tillë sa i takon strukturave akomoduese. Për këtë arsye ne duhet të investojmë dhe nuk mund tua lëmë në dorë vetëm hotelierëve. Ne kemi përfunduar hatëzimin e të gjithave destinacioneve turistike në vend të trashëgimisë natyrore, duam shumë ti promovojmë ato dhe për këtë kemi më shumë nevojë për buxhet, edhe pse pandemia nuk na lë shumë hapësira për aktivitete në natyrë”, u shpreh ministri.
Klosi foli edhe për rrugën e Syrit të Kaltër, që sipas tij mund të investohet vetëm nëse rriten fondet.
“Nëse Ministria e Financave na ndihmon me buxhet shtesë ne do kemi prioritet Syrin e Kaltër, pasi është një nga simbolet e turizmit tonë, dhe rruga është skandaloze”, tha Klosi.
Një tjetër shqetësim i ngritur në komision nga ministri është edhe sjellja e pushtetit vendor me pyjet.
“Ka shumë nevojë që të ketë një kontribut më të madh nga pushteti lokal për menaxhimin e pyjeve, dhe investimet që vijnë nga bashkitë në këtë drejtim janë thuajse inekzistente, ndërkohë që duhet të konsiderohen nga bashkitë. Ka nevojë për më shumë buxhet, për më shumë politika, për bashkëpunim me bashkitë”, u shpreh Ministri.