Turizmi kulturor/ Qyteti antik i Butrintit tërhoqi rreth 17 mijë vizitorë në muajin gusht
Butrinti, 20 km larg Sarandës, vijon të mbetet një nga monumentet më të vizituar të trashëgimisë kulturore në vend.
Ky park ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike, që tërheqin vizitorët e shumtë vendas e të huaj.
Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrint, tha për ATSH-në se “gjatë muajit gusht pati një rritje progresive pas rihapjes së sitit në 18 maj 2020. Nga data 1-31 gusht ky park u vizitua nga 16 667 vizitorë, duke tejkaluar numrin total të vizitorëve për periudhën janar-korrik 2020”.
Sipas saj, në korrik parku u vizitua nga 8477 vizitorë vendas e të huaj.
“Për këtë sezon turistik Ministria e Kulturës ka ofruar një tarifë më të ulët hyrjeje si dhe çdo ditë të diel falas, ku vetëm në gusht kishim 5241 bileta falas”, -theksoi Dhima.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.
Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit.