Rihapja e kazinove, deputeti Sarandës: Kemi kushtëzuar masën, kush dëshiron të luajë nuk e pengojmë
Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni nga studio e Abc News ka komentuar vendimin në lidhje me rihapjen e kazinove.
Hyseni në fjalën e tij është shprehur se personat që kanë mundësinë dhe dëshirën për të luajtur, do e bëjnë atë dhe nëse nuk do të ketë në vendin tonë do të shkojnë në vende të tjera.
Me vendimin e saj, sipas tij qeveria ka bërë të mundur që kazinotë të jenë në disa zona të kufizuara pasi nuk mund të japë mundësinë që jo çdo kush mund të bëhet pjesë e saj.
“Duke qenë larg vendbanimit dhe duke qenë në zona sa më pak të pabanuara e kufizon mundësinë për të pasur licenca të tjera, nëse do të flisni me populizma të nivelit komunist është e drejta e secilit, por jemi në kapitalizëm dhe në këtë mënyrë vetëm ndalohet dhe pamundësohet për masën e gjërë zhvillimi i këtyre aktiviteteve.
Nëse një person ka vullnet dhe dëshirë ai mund të ikë dhe nga Shqipëria për të lozur atje, ne nuk mund ta parandalojmë këtë gjë. Ne po themi se kjo pjesë që ka luksin për të lozur pse të mos e bëjmë që të ardhurat e tij të bëhen pjesë për ekonominë shqiptare”, ka thënë Hyseni.
Ndër të tjera ai ka folur dhe në lidhje me punën që po bën mazhoranca për zgjedhjet në prill të 2021.
Ai është shprehur se janë dakord që me opozitën të diskutohet çdo vendim që ka të bëjë në lidhje me përcaktimin e ndryshimeve në reformën zgjedhore.
Ndër të tjera ai ka theksuar se një ndër parimet që PS-ja do të ruajë në të gjithë këtë është përfaqësimi femëror në lista.
“Ne po rendim në garë me kohë dhe pengesat që na krijohen nga palët e tjera në këtë proces, ne prej dy vite e gjysëm kemi pasur një komision për reformën, që kemi pas dhe opozitën që u largua por sërish ne gjetëm vullnetin për ti bërë sëbashku rregullat e lojës dhe u bashkuam për të diskutuar. Opozita këmbënguli që për këto zgjedhje ndryshimet të jenë të pjesshme që të ketë një administratë të politizuar të prodhuar nga partitë dhe me keqardhje pranuam që në të mirë të vendit të tërhiqemi dhe të biem dakord.
Jemi akoma në kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme në kodin e ri, për formulën e listave të hapura dhe çështjen e koalicioneve. Ne kemi thënë se koalicionet në vendin tonë duhet të jetë sipas vendeve demokratike, jo sipas stilit shqiptar. Koalicion quhet kur bëhesh bashkë dhe ke një listë dhe e propozon, nuk është pjesa tjetër koalicion. Çdo vendim tjetër është Pazar, ne e kemi ndarë që do të bëjmë koalicion me shqiptarët, nëse ato duan që të bëjnë koalicion të zgjedhin njerëzit e tyre më të mirë dhe le të prezantohen.
Çështja e listave të hapura është e padiskutuar nëse ne do të arrijmë disa standarde. Shqipëria është në avangardë përsa i përket përfaqësimit zgjedhor që u kërkua dhe u mbështet nga PS-ja.
Ne nuk tërhiqemi nga kjo risi mënyrat për ta ruajtur është për tu diskutuar por ne nuk mund të lëmë një listë të hapur ku zonjat do të ndihen në vështirësi, ky është një standard që ne do e ruajmë dhe do ta diskutojmë me opozitën parlamentare dhe joparlamentare. Pikat e PS-së janë pika kushtetuese dhe ne e zbatojmë dhe respektojmë siç janë aty”, ka thënë ndër të tjera ai.