Lungomare 2 në Vlorë/ Po merr jetë një tjetër hapësirë publike fantastike me plazh me 5 yje
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e Lungomare 2, në Vlorë, ku po merr jetë një tjetër hapësirë publike fantastike, me një plazh me 5 yje, me pishinë olimpike dhe pishinë për fëmijë, si edhe shëtitoren që lidh pa ndërprerje Skelën me Ujin e Ftohtë.
Kryeministri u shpreh se “me këtë investim sipërfaqja e krijuar është pa frikë 2-fish e gjysmë më tepër se më parë, kur ishte sikur futeshe në një xhep fallco”.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli informoi se plazhi me 5 yje në segmentin e dytë të Lungomares po merr formë dita-dita.
“Ka përfunduar pjesa më e madhe e shtrimit të pishinës olimpike, e cila do të jetë me ujë të kripur dhe të ëmbël. Do të ketë edhe një pishinë për fëmijë. Njëkohësisht në pjesën mbrapa do të ketë një parkim i dedikuar me 160 vende, do të ketë vende të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar dhe ambiente shërbimi”, tha Leli.
Ai informoi po ashtu se “kanë ecur punimet te shkallarja, ku janë pjesët më të vështira dhe komplekse të projektit, pasi kemi përballjen me detin që kushtëzon ritmin e punimeve dhe po kryhet një punë cilësore e standardit të lartë”.
Leli theksoi se “zgjerimi i rrugës ka mbaruar dhe muri anësor është bërë me beton të zi cilësor”. Po ashtu, ai tha se është rikuperuar plazhi ngä investimi publik. “”Është rikuperuar një sipërfaqe e rëndësishme plazhi me standard shumë të mirë, me zhavorr natyral që krijon atraksion. Shëtitorja vazhdon pa ndërprerje”, tha ai.
Leli tha se “ky është nga investimet më të bukura dhe atraktive të realizuara në bregdet me një standard shumë të lartë projektimi dhe zbatimi”.
Projekti parashikohet të përfundojë brenda pranverës së ardhshme.