Kufiri detar me Greqinë/Rama: Marrëveshje me ndihmën e një pale të tretë ose nga Gjykata Ndërkombëtare
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çështja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë mund të zgjidhet me ndihmën e një pale të tretë, që mund të jetë një shtet mik, ose nga Gjykata Ndërkombëtare.
Duke folur për marrëveshjen e detit të viti 2009, në Athinë në takimin e organizuar nga “THE ECONOMIST”: Ballkani Perëndimor përtej 2020-s, Rama tha se, “kjo ka qenë një marrëveshje e cila është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë”.
“Jam shumë besimplotë që jemi në rrugë ne duhur. Kemi zhvilluar një dialog intensiv me qeverinë e kaluar për një paketë çështjesh që duhen trajtuar dhe zgjidhur, pasi befas kthehen në çështje të nxehta në zjarrin e politikës lokale, ndërkohë që janë vetëm çështje që nuk kanë zjarr dhe rëndësi në terrenin ku janë zhvilluar marrëdhëniet shqiptaro-greke që është në fakt terreni i marrëdhënieve të mrekullueshme midis njerëzve”, u shpreh Rama.
“Sfida jonë është që ta bëjmë politikën midis dy vendeve po aq të mirë e të shkëlqyer sa ç’janë marrëdhëniet midis njerëzve. Ajo çfarë unë kuptoj nga miqtë grekë dhe ajo çfarë shoh mes bashkëqytetarëve shqiptarë është se nuk ka ndjesi negative apo mëri midis njerëzve. Krejt e kundërta. Dhe ne u detyrohemi njerëzve që t’i çojmë marrëdhëniet në të tillë nivel. Jam absolutisht besimplotë që me qeverinë e re këtu jemi në drejtimin e duhur”, tha ai.
“Kemi gjithçka nevojitet për të zgjidhur jo vetëm këtë, por edhe të gjitha gjërat e mbetura. Që më pas të mos përdoren më nga forca të errëta në shoqëritë tona si arsye për të ndezur situatën apo për të kthyer fantazma të së shkuarës. Unë kam një ide shumë të thjeshtë që e kam paraqitur më parë dhe shpresoj fort që sa më shpejt të arrijmë dakordësi për të që kur bëhet fjalë për zonat detare ne të mund ta zgjidhim çështjen me ndihmën e të tjerëve. Që do të thotë nëpërmjet një pale të tretë që na ndihmon miqësisht akoma dhe më mirë nëpërmjet Gjykatave Ndërkombëtare. Kjo mund të jetë e drejtë, objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotët atje dhe këtu”, theksoi ai.
“Imagjinojeni kryeministri i Greqisë flet përpara parlamentit grek për një të drejtë absolutisht legjitime të Greqisë, mbështetur në Konventën Ndërkombëtare të së Drejtës së Detit për të shtrirë kufijtë e vet detarë me 12 milje. Dhe vetëm kjo shndërrohet në çështje në rrjetet sociale në Shqipëri. Po kështu në qarqet politike. A thua se kryeministri grek duhet t’u përgjigjet njerëzve që s’dinë se çfarë flasin. Pra gjithmonë kjo ndez pakënaqësinë e mosmarrëveshje bazuar në çështje të cilat mund të zgjidhen”, tha Rama.
Në përgjigje të ish-ministres së jashtme greke, Dora Bakojanis e cila tha se, “unë kam qenë ajo që firmosa marrëveshjen e detit me Shqipërinë dhe sigurisht u mërzita shumë kur dëgjova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk përbën justifikim që 10-12 vjet më pas ne ende nuk kemi një marrëveshje. Na duhet besoj të përpiqemi më fort. Të gjejmë një marrëveshje me Shqipërinë. Kjo është e rëndësishme për të dy vendet tona. Sigurisht ndërhyrja e vendeve të treta në këto lloj çështjesh nuk ndihmojnë. Ne e dimë që Turqia ka qenë shumë kundër kësaj marrëveshje”, Rama u shpreh se, “Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë vendim për këtë marrëveshje në vitin 2009. Asokohe unë kurrë nuk e kisha takuar, kurrë nuk kisha folur dhe kurrë nuk kisha dëgjuar prej presidentit Erdogan asokohe kryeministër i Turqisë, nuk kishim asnjë raport sepse ne ishim partia kryesore e opozitës dhe vendosëm që marrëveshjen ta çonim në Gjykatë për një arsye shumë të thjeshtë. Kishte një debat të madh në shoqëri që u nis nga disa persona të shoqërisë civile dhe unë nuk doja që ky debat të bëhej politik dhe të shndërrohej në luftën e zakonshme midis opozitës dhe pushtetit në rajonin tonë për tradhtarë dhe patriotë e për gjithë këto gjepura. Dhe unë thashë e çojmë në Gjykatë. Gjykata ka të gjitha instrumentet për të kontrolluar. Ideja dhe e kam dëgjuar në Shqipëri, e kam dëgjuar edhe javën e kaluar nga autoritete të larta të së shkuarës dhe aktuale që kjo është një marrëveshje e cila është parandaluar nga ndërhyrja e Turqisë. Kjo është absolutisht e pavërtetë. Mund ta them dhe kjo është vetëm fjala ime nuk kam gjëra të regjistruara, por asnjëherë në asnjë takim me presidentin Erdogan nuk kam dëgjuar prej tij që kjo marrëveshje apo kjo çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë është e ndonjë interesi për Turqinë. Kurrë kjo është e vërteta”.
“Na duhet që t’i qartësojmë, pra t’i largojmë këto lloj idesh sepse këto ndikojnë në qëndrimet tona me njëri – tjetrin. Në kuptimin që a kemi nevojë ta zgjidhim? Po a duam ta zgjidhim? Po. A e kuptojnë të gjitha palët që kjo është e zgjidhshme? Po. Dhe unë i jam shumë mirënjohës kryeministrit Micotakis dhe ministrit Dendias sepse kanë pasur një qëndrim mjaft konstruktiv e kanë shfaqur vullnetin për ta zgjidhur, pa u dashur që të kthehemi pas sikur të mos ketë ndodhur asgjë, por duke vlerësuar situatën aktuale që kishim deri me qeverinë e shkuar dhe duke pasur një mendje të qartë për të kuptuar që askush nuk është i interesuar për ta mbajtur këtë çështje si pengesë për të çliruar të gjithë potencialin e kësaj marrëdhënie”, theksoi Rama.