Drafti i PS-së/ Gjiknuri: Lista 100 % të hapura dhe ruajtje e kuotës gjinore, mirëpresim propozimet e PD-së
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, sqaroi sot draftin që socialistët kanë paraqitur për listat e hapura.
Në një intervistë në medie, Gjiknuri tha se drafti është për lista 100 % të hapura dhe ruajtjen e kuotës gjinore, por PS është e hapur dhe e gatshme të dëgjojë të gjitha propozimet nga PD për gjërat që do të ndryshojnë.
Ndër të tjera Gjiknuri sqaroi edhe vendosjen e pragut elektoral 3 % dhe se partitë garojnë me kandidatët e tyre të grupuara në koalicion.
“Opozita vazhdoi me qëndrimin e saj abstrakt politik, që është mosmarrja pjesë, kundërshtia dhe nxjerrja e një artifice procedurale për thirrjen e ekspertizës së ODIHR-it, pa pasur një çështje konkrete në tavolinë. Duhet kuptuar që ODIHR-i ndërhyn vetëm kur ka një objekt konkret dhe ka drafte konkrete dhe teknike, ku ata mund të japin opinionin se si qëndrojnë këto drafte në përputhje me standardet demokratike të ODIHR-it dhe të OSBE-së”, tha Gjiknuri, duke shtuar se “nuk mund të shkohet tek ODIHR-i me çështje abstrakte, me probleme politike.
Gjiknuri tha se “afatet zgjedhore kanë filluar dhe përgatitja e zgjedhjeve duhet të fillojë menjëherë”. “Në tetor zgjidhet edhe KQZ-ja e re, kështu që kërkesa e PD-së mua më shumë më duket një qasje politike obstruktive për të krijuar një alibi që “mazhoranca po i kryen e vetme, ne nuk jemi përfillur””, shtoi ai.
Përkundër asaj që u deklarua nga PD-ja, Gjiknuri theksoi se “ne i kemi përfshirë në draftin tonë koalicionet, nëpërmjet një liste unike ashtu siç e ka çdo vend tjetër demokratik që ka lista të hapura me sistem proporcional”. Së dyti, vijoi ai, “PD-ja nëse nuk e pëlqen draftin tonë, le të vijë me propozime konkrete, ta përmirësojë atë draft, përfshirë edhe pikëpamjet e tyre, dhe nëse mund të mos kemi dakordësi, mund të kërkojë ekspertizën e ODIHR-it. Por jo të kërkosh ekspertizë tek ODIHR-i për një gjë që akoma nuk ekziston”.
Gjiknuri theksois e “propozimi i PS-së i adreson të gjitha kërkesat që kanë amendimet kushtetuese, në Kushtetutën e Shqipërisë”.
“Së pari, përcakton pragjet zgjedhore kombëtare, që do të thotë që parti, subjekt, koalicion, përfiton mandatin kur ka marrë 3% të votave në shkallë kombëtare. Së dyti, përcakton koalicionet zgjedhore të cilat kanë të drejtë të garojnë edhe me parti të ndryshme të kompozuara, të vendosura në një listë të caktuar, ku secila parti përfaqësohet me kandidatët e saj, pra nuk mungon koalicioni parazgjedhor. Por PD-ja nuk ka hallin e koalicionit, se koalicioni është një definicion i qartë siç është në çdo legjislacion europian. Ata kërkojnë thjesht taktikën elektorale që ka qenë në formulimin e vjetër përpara se të ndryshonte Kushtetuta dhe para se të hapeshin listat”, tha ai.
“Së treti, kemi përcaktuar edhe faktin që zgjedhësi ka të drejtën e dy votave, siç e thotë edhe Kushtetuta, votën preferenciale, një votë për partinë politike dhe një votë për individin, pra për kandidatin që është në listën e partive politike. Dhe aty ka një mekanizëm, rirenditjen e listës që paraqet partia e bën zgjedhësi nëpërmjet një votimi të caktuar, ku garantohet ruajtja e kuotës, pra një grua mund të zëvendësohet vetëm nga një grua kur arrin një masë të caktuar votash dhe hap mundësinë që edhe ata që janë në fund të listës, nëse marrin një numër të caktuar votash që është një peshë mesatare elektorale pasi ti kandidon me partinë time, me dividentin e forcës sime dhe jo thjesht si një individ, ke mundësi të rirenditësh veten dhe të marrësh mandat. Ky është një model që e kanë shumë vende evropiane”, shtoi ai.
Gjiknuri theksoi se “listat janë të hapura në masën 100% nëpërmjet një mekanizmi që garanton se zgjidhen ata që kanë një peshë elektorale, ashtu siç janë edhe pragjet”.
“Pse janë pragjet edhe me partitë politike? Pse humbi në Tiranë PDIU-ja një mandat në vitin 2017, megjithëse kishte vota më shumë se për një mandat? Sepse nuk kapi një prag, sepse ligji konkuron me dy parime. Njëri është stabiliteti i listës elektorale dhe stabiliteti i zgjedhjes, se jo çdo lloj individi mjafton në mënyrë proporcionale të pastër do të mund të përzgjidhet. Nga ana tjetër, krijon edhe mundësinë që individë të caktuar me peshë elektorale, të zgjidhen. Pra është një balancë mes zgjedhjes që bën elektorati i lirë dhe integritetit të listave. Partitë politike duhet të jenë shumë të kujdesshme, se edhe këta që janë sipër në listë, nëse janë individë që nuk kanë asnjë vlerë, do të mposhten nga ata që janë poshtë në listë”, tha ai.
Gjiknuri theksoi se “po pret PD-në që të bëjë komente për draftin tonë”. “Pra, unë jam në këshill për të diskutuar, për të punuar së bashku. Fatkeqësisht ata humbën një javë kohë vetëm duke çuar letra e duke thënë “duam ODIHR, s’duam ODIHR”. Nga ana tjetër nuk kanë sjellë asnjë propozim konkret. Kështu që ne i presim në këshill dhe mos harroni afatin, që më 30 shtator ne duhet të kemi draftin të miratuar dhe të dërguar në Komisionin e Ligjeve, me qëllim që të bëhen menjëherë ndryshimet”, shtoi ai.
Gjiknuri tha se duhet ta mbarojmë këtë punë sa më shpejt. “Kushtetuta ka hyrë në fuqi, ky është një fakt tashmë, që nuk mund të mohohet. Këtu po bëjmë vetëm një ndryshim, vetëm një modifikim, që është formula e shpërndarjes së mandateve brenda partive politike në bazë të renditjes së votave që ata kanë marrë. Kaq, nuk ka ndonjë ndryshim tjetër thelbësor aty. Si edhe paraqitja e listës nga koalicionet, pra praktikisht nuk ka asnjë ndërhyrje tjetër themelore në Kodin Zgjedhor. Të gjitha rregullat e tjera janë të gjithëpranuara, janë pjesë të marrëveshjeve. Asgjë nuk kemi prekur nga marrëveshja e 5 qershorit”, tha ai.