Dhënia me konçesion e Butrintit, Kokëdhima: E padëgjuar në botë
Ish- deputeti i Sarandës, Koço Kokëdhima, ka reaguar pas dhënies me konçesion të qytetit Antik të Butrintit.
Kokëdhima shkruan se ky është një krim i padëgjuar në botë.
“Dhënia me koncesion e qytetit antik të Butrintit, pasuri e mahnitshme arkeologjike e Shqipërisë dhe e njerëzimit, prej vitesh nën mbrojtjen e UNESCO-s, është një krim i padëgjuar në botë.
Nuk është vetëm krim financiar, kur privatit i falen për një dekadë rreth 1 milion dollarë të ardhura në vit nga vizitorët, fonde që deri më sot shkonin në arkën e shtetit.
Administrimi i qytetit antik nga një fondacion është shkelje e hapur e Konventës së Parisit, që sanksionon se pasuritë kulturore dhe natyrore duhet të administrohen vetëm nga shteti, i cili e hodhi në kosh studimin e kërkuar nga UNESCO për një plan të ri menaxhimi, por jo nga privatët.
UNESCO duhet të reagojë ndaj këtyre shkeljeve të rënda të qeverisë që ka nxjerrë gjithçka në pazar, këtë herë një pasuri të rrallë të Shqipërisë dhe të botës, që është nën mbrojtjen e saj”, shkruan Kokëdhima. /Sarandanews.com/