Deputeti Vullnet Sinaj: Kemi bërë një urë që s’u bë për 16 vite, ne e bëm për 6 muaj pasi PS fitoi bashkinë e Selenicë
Një investim i mezipritur nga bashkia e Selenicës është përuruar sot në Treblovë në prani të autoriteteve lokale dhe deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.
Ura e fshatit që mungoi për rreth 16 vite u bë realitet, rreth një vit pasi drejtimin e bashkisë e mori PS.
Deputeti Vullnet Sinaj shprehu kënaqësinë që pavarësisht sfidave të ndryshme, Partia Socialiste jep shembullin e mirë me punën e përfaqësuesve të vet, duke kontribuuar në përmirësimin e cilësisë së jetës në ato zona.
“Kjo urë i ka munguar Treblovës për 16 vite, por që kur Partia Socialiste ka marrë drejtimin e bashkisë së Selenicës gjërat po ndryshojnë. Gjej rastin të falenderoj kryetarin e bashkisë.
Ajo që nuk u bë për 16 vjet, u bë për 6 muaj, se në kaq kohë ka punuar në kushte normale bashkia e Selenicës.
Mes vështirësive të ndryshme, siç janë tërmeti dhe pandemia u gjet mënyra të konkretizohej dhe përfundohej ky investim i bashkisë shumë i rëndësishëm për zonën”, tha deputeti Sinaj gjatë përurimit të urës, në prani edhe të medias dhe banorëve të zonës.
“Do t’i ftoja të gjithë të vijnë këtu, të kalojnë në këtë urë dhe ta shikojnë detin nga Treblova, një mrekulli e vërtetë”, përfundoi Sinaj.
Vetë kryetari i bashkisë së Selenicës, Pëllumb Binaj e quajti këtë një investim modest, por i munguar prej kohësh për banorët e Treblovës.