Statuja e Pacollit në Sarandë sjell debate

Ditën e sotme nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ish-presidenti i Kosovës dhe kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli lajmëroi se në qytetin e Sarandës ishte realizuar një bust për të.

Pacolli e konsideron një dhuratë të papritur me rastin e ditëlindjes së tij.

Busti është realizuar nga Alket Halili, por deri më tani nuk dihet nëse ky bust do vendoset zyrtarisht në qytetin e Sarandës apo është thjesht një dhuratë që do shkojë për Pacollin.

Një dhuratë që nuk e prisja. Sot me rastin e ditëlindjes sime, kuptova se në qytetin e bukur të Sarandës është realizuar një bust për mua! Jam i lumtur dhe shumë mirënjohës për këtë portret. Gjatë jetës sime, kam punuar shumë për ta bërë popullin tim krenarë dhe për t’i treguar botës se edhe ne dimë dhe mundemi! Ky është një nder i madh për mua sot! Falënderoj nga zemra autorin Alket Halili!”-shkruan Pacolli.

Mirëpo busti i tij ka ngjallur debat, ku ka reaguar përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ai ka kundërshtuar vendosjen e një statuje të tij duke e cilësuar servilizëm të pushtetarve të Shqipërisë.

Ai e konsideron Pacollin një miliarder i cili nuk investon në Kosovë por shfrytëzon vetëm krahun e lirë të punës.

Tash, në 2020, me rastin e 69 vjetorit Edi Rama uron ditëlindjen e një miliarderi i cili mezi i merr 2-3 deputetë duke u varur nëpër lista të të tjerëve, aq shumë e respekton Kosova këtë njeri. Miliarderi i cili nuk njihet për investime apo përparim të vendit të vet, por vetëm për vjelje të krahut të lirë të punës, të cilët i dërgon të punojnë në Kazakistan”-shkruan Zaimi ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Statuja dështake në Sarandë

Ç’është ky nderim me statuja i njerëzve që janë ende gjallë? Cila analizë politike i bën pushtetarët e Shqipërisë kaq servilë ndaj njerëzve që kanë humbur besimin, vlerësimin dhe mbështetjen e popullit të vet?

Në 2016, para zgjedhjeve në Amerikë, ky servilizëm bëri që në Sarandë të ngrihej një statujë e Hillary Clinton. Bashkë me deklaratat eksplicite të Edi Ramës kundër Trump-it, këto gjeste shëtitën rreth botës nëpër tituj mediash… Edhe pse në 2016 nuk ishte vështirë të kuptohej se Hillary nuk do të fitonte, sepse liberalizmi tashmë i përket së shkuarës dhe sepse Obama ishte kryekëput i dështuar, Edi Rama e futi Sarandën dhe Shqipërinë në listën e kundërshtarëve të Trump-it, i cili shquhet për revanshizmin e vet.

Tash, në 2020, me rastin e 69 vjetorit Edi Rama uron ditëlindjen e një miliarderi i cili mezi i merr 2-3 deputetë duke u varur nëpër lista të të tjerëve, aq shumë e respekton Kosova këtë njeri. Miliarderi i cili nuk njihet për investime apo përparim të vendit të vet, por vetëm për vjelje të krahut të lirë të punës, të cilët i dërgon të punojnë në Kazakistan. Dhe po këtij i ngrihet statuja në Sarandë. Servilizmi i pështirë sërish në veprim: jemi në krizë ekonomike, ishalla vjen Behgjeti të investojë në ndonjë plazh privat. Për fat të mirë të Shqipërisë, klasa politike që po vjen në pushtet në Kosovë nuk është revanshiste e hakmarrëse por i merr me sportivitet e humor këto gjëra.

Por për dinjitetin e Shqipërisë dhe Sarandës, praktikat e tilla që shenjojnë hapësirën publike, sheshet e udhët e qyteteve, me servilizmin e pushtetarëve, duhet të ndalen.