Situata në Kakavijë/ Meta: Kontaktet me Greqinë të jenë konstante dhe vetëm në funksion të një zgjidhjeje të menjëhershme
Presidenti Ilir Meta përsëriti sot thirrjen drejtuar qeverisë shqiptare për të qëndruar pranë qytetarëve në pikat kufitare me Greqinë dhe për të marrë të gjitha masat, për informimin me transparencë, realizimin falas dhe në vendin ku ndodhen të tamponëve për COVID-19.
“Qytetarët shqiptarë, të cilët prej ditësh ndodhen në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në kushte tejet të vështira dhe në prag të një krize humanitare, nuk mund të trajtohen si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet”, tha Meta.
Ai kërkoi që “kontaktet me Greqinë të jenë konstante dhe vetëm në funksion të një zgjidhjeje të menjëhershme”.
“Aktet e forcës janë të papranueshme! I kërkoj autoriteteve greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe lidhjeve të forta tradicionale mes dy popujve, të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës turpërojnë të dyja vendet. Çdo qytetar i republikës së Shqipërisë meriton të trajtohet me dinjitet”, tha Meta.