Kryetari i bashkisë Gjirokastër: Kush ka gisht në zjarrvëniet e ditëve të fundit, do të marrë ndëshkimin e merituar, zero tolerancë!
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi ka reaguar në një postim në faqen e tij në facebook lidhur me situatën kritike të zjarrvënieve.
Golemi shkruan se çdo neglizhencë apo pakujdesi mund të jetë jetë fatale për qytetarët e Gjirokastrës.
Ai shton se kushdo që ka gisht në zjarrvëniet e ditëve të do të marrë ndëshkimin e merituar siç e parashikon ligji.
“Nisur nga situata e krijuar prej dy ditësh në territorin e Bashkisë Gjirokastër, ku ka patur disa vatra zjarri, dua të përsëris një THIRRJE TË FORTË, kryesisht për banorët e fshatrave: Mos luani me zjarrin! Çdo neglizhencë apo pakujdesi e juaja, por edhe tentativat e qëllimshme për të ripërtërirë kullotat, mund të jenë fatale për ne.
Rrezikoni jetën e pronën tuaj e të komunitetit, shkatërroni mjedisin dhe na vendosni të gjithëve përballë një emergjence nga e cila nuk e dimë si dalim, sado të zotë që të jemi në mjete e burime njerëzore. Me zjarrin nuk bëhet shaka dhe këtë s’e them thjesht unë, por e di i madh e i vogël mbi këtë tokë. Kushdo që ka gisht në zjarrvëniet e ditëve të fundit, por edhe në çdo rast tjetër, do të marrë ndëshkimin e merituar siç e parashikon ligji. Zero tolerancë për piromanët!
Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit dhe strukturat tona të Pyje Kullotave janë në terren për të bërë gjithçka na takon dhe është në dorën tonë që të kalojmë këtë emergjencë. Por lufta me zjarrin nuk fitohet duke na lënë vetëm. Ju lutem tregohuni të përgjegjshem dhe MOS LUANI ME ZJARRIN!”