“Mos e pranoni shërbimin ju ofrohet në greqisht”, deklarata e zv. Ministres së Turizmit, reagon OMONIA: Racizëm, mentalitet diskriminimi

OMONIA ka reaguar ndaj deklaratës së zv. ministres së Turizmit, ku ajo është shprehur se turistët duhet të bojkotojnë ato shërbime ku nuk ofrohet gjuha shqipe.

Omonia e cilëson Racizëm linguistik deklaratën e saj, e cila shpreh  mentalitet regjimor diskriminimi nga minoritetit grek në Shqipëri.

DEKLATATA E OMONIAS

Demaskuese përsa i përket mentalitetit që mbizotëron në administratën e lartë të shtetit, është deklarata e Zv. Ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Qeverisë Rama, znj. Ornela Çuçi.

Pyetjes provokative dhe kryesisht të paragjykuar të gazetarit, në kuadrin e intervistës së saj, dje,  në stacionin “ORA tv”, mbi atë se çfarë duhet të bëjë vizitori në Jug të Shqipërisë (nënkupton trevat e Gjirokastrës, Sarandës, Himarës, ku historikisht dhe në numra të konsiderueshëm rron Minoriteti Etnik Grek), ku rastis t’u drejtohen në Greqisht për porosinë,  znj. Zv. Ministre, shkoi shumë më larg.

Të bojkotojnë shërbimet që nuk u ofrohen në Gjuhën Shqipe!!!- nxiti.

Ndërsa nga një politikane e re relativisht, me origjinë nga Gjirokastra ku është ambientuar me karakterin bilingue të zonës, dhe kryesisht një person që ka punuar në zonat e kontaktit mes Shqipërisë dhe Greqisë, pritej që t’i jepej një mësim civilizues gazetarit të paragjykuar dhe opinionit me atë rast.

Ajo preferoi ta shkojë më larg në drejtimin krejt të kundërt të atij të dëshiruar.

Racizmin linguistik dhe në rastin konkret antihelenizmin e znj. Zv. Ministre, e dënojmë pa asnjë ekuivok.

I sjellim në vëmendje se të drejtën e përdorimit të Gjuhës amtare Greke, e kemi sanksionuar në rrugëtimin e historisë dhe për më tepër e kemi garantuar nga konventa dhe praktika të Europës, në të cilën Shqipëria synon të integrohet.

E mira do të ishte që të reflektojë mbi faktin se sa mirëbërëse për vetë atë,  trevën dhe Shqipërinë në përgjithësi, është Gjuha Greke, dhe kryesisht arsimi që jepej  në këtë gjuhë,  në periudha ku nën pushtimin Otoman vendin e mbulonte errësira dhe analfabetizmi i thellë.

Logjika dhe arsyetime sikundër këto që na solli në vëmendje ofiqarja e administratës së lartë të shtetit nuk e ndihmojnë as integrimin, as emancipimin e shoqërisë dhe për pasojë prosperitetin e ekonomisë dhe mirëqenien e shoqërisë.

Zyra e Shtypit dhe Komunikimit të ΟΜΟΝΟΙΑ