I infektuar me Covid-19, reagon Fatmir Toçi: Unë që po e provoj, ju garantoj se virusi nuk është një lojë

Pas lajmit se është prekur me virusin korona, ka reaguar vetë ish-deputeti socialist Fatmir Toçi.

Ai konfirmon lajmin se ka rezultuar i infektuar me koronavirus, pas testit të bërë në ISHP.

Për fat të mirë asnjë nga anëtarët e familjes së tij nuk janë prekur.

Statusi i plotë:

I PREKUR NGA COVIDI

Dua të njoftoj miqtë e mi, të afërmit dhe të njohurit e shumtë se pas disa hamendjesh e dyshimesh për shkak të një gjendje dobësie shëndetësore vendosa të bëj provën e tamponit nëse kjo vinte nga prekja e sëmundjes së shekullit, Covid-19.

Dhe rezultova pozitiv:-(

Pas kësaj, unë dhe familjarët e mi, edhe pse ata nuk rezultuan si unë të prekur, iu nënshtruam vetëkarantinimit, për të mbrojtur jetët tona dhe të të tjerëve, por dhe në zbatim të ligjit, transparencës e në emër të moralit qytetar.

Sot, 5 ditë pas jetës në karantinë i izoluar në shtëpi, vendosa t’u drejtohem intitucioneve të specializuara të kujdesit shëndetësor për ta ndjekur gjendjen time shëndetësore, me besimin e plotë në kujdesin dhe aftësitë e tyre profesionale e humane.

U bëj thirrje të gjithë atyre njerëzve që puna, shoqëria apo rastësia i ka bërë të kontaktojnë me mua këtë javën e fundit, të shkojnë e të bëjnë me domosdo provën e tamponit, për t’u siguruar se janë negativ, për të mbrojtur veten, familjet e tyre, të afërmit dhe gjithë shoqërinë tonë!

Duke besuar në mirkuptimin dhe vlërësimin e këtij njoftimi jo të këndshëm, ju ftoj të bëni të gjitha përpjekjet për vlerësimin dhe zbatimin e masave me rreptësi dhe rigorozitet për t’u mbrojtur nga kjo flamë, sepse unë që po e provoj ju garantoj se nuk është thjesht një lojë dhe as ekzagjerim i situatës, siç thuhet jo rrallë me mendjelehtësi të çuditshme dhe naive.

Lutem për ju të gjithë, miqtë e mi, që të mos ta provoni këtë situatë, por çdo gjë varet nga secili prej jush!