14.5 milionë euro, ja kompania që do ndërtojë tunelin “Kardhiq-Delvinë”
Tuneli i rrugës së re Kardhiq-Delvinë merr zgjidhje.
Me një vlerë prej 14.5 milionë euro, ky tunel do të ndërtohet nga firma me ofertën më të ulët me një vendim të komisionit të prokurimit publik.
Prej një viti, kompania Gjoka Konstruksion kishte depozituar një ankesë, e cila u shqyrtua vetëm dy javë më pare, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar vendosi se ky proces nuk bie ndesh me hetimin e nisur ndaj kompanisë dhe ish-drejtueses së autoritetit rrugor, Sonila Qato.
Kjo kompani e kallëzoi Qaton për shpërdorim detyrë dhe korrupsion pasiv në tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, ku sipas kompanisë Gjoka që kishte dhënë ofertën më të ulët, ishte shpallur fitues një konsorcium me ofertë 4.2 milionë euro më të lartë.
Autoriteti i rrugëve zbatoi vendimin e Komisonit të Prokurimit publik që tenderi t’i jepej kompanisë me ofertën më të ulët.
ARRSH u përgjigj me një tjetër padi për dokumentacion të rremë dhe rruga mbeti kështu peng i çështjeve gjyqësore.
Rruga nisi të ndërtohej në qershor të vitit 2008 në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha dhe në 34 kilometrat e saj duhet të mbaronte për dy vite. Por 12 vite më pas, rruga është ende në mesin e saj.
Në disa lote është duke u punuar ende për krijimin e shtratit të saj, por puna kishte mbetur në mes në pjesën e tunelit. Pa ndërtimin e tij, rruga nuk ka asnjë vlerë.
Ky aks u financua me synimin për të lehtësuar lidhjen e zonës turistike të Sarandës me pjesën tjetër të vendit dhe do shkurtonte në tre orë rrugëtimin nga Tirana në Sarandë.