Sarandë, nxënësit zhvillojnë provimin e parë të maturës shtetërore
Sot nisën provimet e Maturës Shtetërore 2020, provimet nisën me atë të Gjuhës së Huaj
323 nxënës të shkollave të Arsimit të Mesëm të Lartë, specifikisht 187 tek “Hasan Tahsini”, 55 nxënës tek shkolla e mesme “Hoteleri – Turizëm”, 35 tek shkolla “5 dëshmorët” Ksamil, 26 tek shkolla private “Dea 2001” dhe 20 nxënës tek shkolla e mesme “Bido Sejko” Konispol i janë nënshtruar sot provimit të parë të Maturës Shtetërore 2020, atij të gjuhës së huaj.
Të gjitha shkollat janë të pajisura me sinjalistikë të brendshme e të jashtme dhe nxënësit janë të shpërndarë nëpër klasa me nga 10 nxënës secila në distancë nga njeri – tjetri, u shpreh për “Tele Jonin” drejtori i Zyrës Arsimore Vendore, Sarandë- Konispol, Vladimir Demaj.
Në datën 11 maturantët do të japin provimin e Gjuhës Shqipe, në datën 15 qershor atë të Matematikës dhe në datën 18 qershor maturantët do të japin provimin e lëndës me zgjedhje.