Plehrat e Gjirokastrës, në përrenj/ Çdo ditë shkarkohen rreth tre ton. Ndotja alarmante
Gati 3 ton mbetje përfundojnë çdo ditë në përrenjtë malorë që përshkojnë qytetin e Gjirokastrës.
Sidomos gjatë muajve të izolimit situata ka qenë edhe më e rënduar. Ky është një prej përrenjve më të bukur malorë krah një rruge hyrëse në qytetin e Gjirokastrës.
Dhe siç shihet nga pamjet, përroi është i tejmbushur me mbetje. Gjirokastra njihet për terrenin e thyer dhe gati 1/10 e mbetjeve ditore këtu përfundon nëpër përrenj. Megjithëse ka kosha në të dy anët e rrugës ata janë pothuajse bosh.
“ Ne këtu konsumojmë jo vetëm energji financiare por edhe njerëzore. Po rrezikojmë jetë njerëzish në përrenjtë e qytetit të Gjirokastrës dhe nuke meritojnë këta djem 20- 25 vjeçarë që varen me litar në përrenjtë e qytetit për të pasur një qytet të papastër. Ndotësit identifikohen kollaj pranë përrenjve janë banesat e tyre. Kemi vendosur edhe kosha çuditërisht përrenjtë janë të mbushur.”, thotë Ylli Muho shef i shërbimeve.
Duke nisur nga kjo javë pritet që këshilli i bashkisë në Gjirokastër të miratojë penalitetet e para për ndotësit.
“ I kemi konsumuar të gjitha hapat me qytetarët. Kurrsesi nuk doja ta përmendja fjalën gjobë pasi deri tani kam qenë partizan i bashkëpunimit, i fjalës, i tolerancës por në fund të ditës ne duam një qytet të pastër. Ka ardhur momenti të themi SOS sepse nuk e meriton një qytet në UNESCO të ketë këtë panoramë të përrenjve. I kam kërkuar këshillit bashkiak vendosjen e masës së gjobës deri në 5000 lekë, gjobë që do t’ju shkojë derë më derë ndotësve.”
Edhe pse një qytet muze në UNESCO që vizitohet nga mijëra turistë vendas e të huaj, Gjirokastra renditet si një ndër qytetet më të ndotura në Jug të vendit, ndërsa shkaktari kryesor i kësaj ndotjeje është mungesa e ndërgjegjësimit qytetar. Gjithë sasia e ndotjes përfundon në lumin Drino.