Mbeti i vrarë gjatë “luftës” në Lazarat, përkujtohet 5-vjetori i vdekjes së Ibrahim Bashës
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Drejtori i PSH Ardi Veliu, familjarë dhe drejtues të lartë të PSH e kolegë, nderuan sot në 5-vjetorin e rënies në krye të detyrës, Ibrahim Bashën, Dëshmorin e Atdheut.
Fjala e ministrit Lleshaj:
I nderuar Drejtor i Policisë,
Të nderuar familjarë të Dëshmorit të Atdheut Ibrahim Basha,
Drejtues të Policisë së Shtetit,
Pjesëtarë të repartit RENEA,
Zonja e zotërinj pjesëmarrës,
Sot vërtetë jemi mbledhur pak, këtu në këtë kënd të ri të “Varrezave të Dëshmorëve”, ku prehen eshtrat e shumë djemve të rinj, që dhanë jetën së fundmi për Shqipërinë. Me këtë rast, së pari, dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e thella për familjen e Ibrahim Bashës, të cilët prej 5 vitesh përjetojnë një mungesë të madhe, një mungesë të jashtëzakonshme. U mungon djali, u mungon vëllai, u mungon i dashuri i tyre. Por besoj se njëkohësisht prej 5 vitesh familja e Ibrahim Bashës kompensohet disi me një ndjenjë të fortë mirënjohjeje, respekti, e cila buron nga zemrat e të gjithë shqiptarëve. Besojmë që përmes respektit dhe mirënjohjes tonë ne do të kontribuojmë për ta lehtësuar sadopak barrën e madhe që kjo familje përjeton. Ashtu sikundër përmes respektit dhe mirënjohjes ndaj “Dëshmorëve të Atdheut”, anëtarë të PSH, apo anëtarë të Forcave të Armatosura, sepse në këtë kënd janë bashkë, edhe pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura, që kanë dhënë jetën për Shqipërinë.
Përmes kësaj mirënjohjeje ne kontribuojmë për të lehtësuar sado pak dhimbjen dhe mungesën e përjetshme të familjeve të tyre, përmes një devocioni të përjetshëm. Ashtu sikundër përmes këtij respekti dhe kësaj mirënjohjeje ne kontribuojmë që brezat e rinj të Shqipërisë të mos harrojnë kurrë, se çfarë sakrifice është bërë për ta, çfarë humbjeje është bërë në emër të tyre, sa gjak është derdhur në emër të tyre, të së ardhmes së tyre.
Besoj dhe shpresoj fort që të gjithë qytetarët e këtij vendi, sidomos rinia e këtij vendi do ta vijojnë traditën e mrekullueshme të respektit ndaj atyre që dhanë atë që kishin më të shtrenjtë, jetën e tyre, për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë.
Ibrahim Basha ishte një djalë i ri shqiptar, i cili e filloi karrierën në shërbim të Shqipërisë si ushtarak i Forcave të Armatosura, që shërbeu brenda dhe jashtë Shqipërisë në misionet e Forcave të Armatosura e më pas u bashkua me repartin elitë të Policisë së Shtetit. Kudo që ishte, edhe në Forcat e Armatosura edhe në Policinë e Shtetit, ai shkëlqeu me angazhimin, me patriotizmin, me profesionalizmin dhe dha një mesazh të jashtëzakonshëm për gjithë shqiptarët, për gjithë Policinë e Shtetit dhe jam i bindur që Policia e Shtetit do ta ketë përherë në ballë të krenarisë së vet Ibrahim Bashën dhe të 224 dëshmorët e tjerë të saj, të cilët janë krenaria e Policisë, krenaria e Shqipërisë, janë motivimi i madh i brezave që vijnë.
Ibrahim Basha u vra në një përpjekje me krimin e organizuar, i cili ende përpiqej të ruante të paprekur një njollë turpi në historinë e Shqipërisë, e cila lidhet me krijimin e një vatre të rrezikshme të kultivimit të kanabisit në Lazarat.
Falën angazhimit, sakrificës së Ibrahim Bashës dhe shumë të tjerëve, Shqipëria arriti që ta heqë këtë njollë, ndërkohë që puna për të vijuar pastrimin përfundimtar të Shqipërisë nga kanabisi dhe fenomeneve të tjera kriminale vazhdon.
Mesazhi dhe sakrifica e Ibrahim Bashës, reflektohet, duhet të reflektohet dhe do të reflektohet në angazhimin e përditshëm të Policisë së Shtetit për ta pastruar Shqipërinë nga krimi, nga kanabisi, për ta pastruar Policinë nga ata që nuk janë ende në lartësinë apo të denjë për të shërbyer në radhët e saj, sepse tek-tuk edhe ka të tillë, me qëllim që ne t’i hapim rrugë, një Shqipërie të re, një Shqipërie pa krim, një Shqipërie me prosperitet, një brezi të ri, i cili e ndërton të ardhmen te puna e ndershme dhe jo te krimi. T’i hapim rrugë, një Shqipërie, e cila ecën përditë e më shpejt në rrugën e saj europiane, duke qenë të bindur se vetëm integrimi europian i Shqipërisë, do të jetë edhe plotësimi i ëndrrave të shumë shqiptarëve, edhe plotësimi i ëndrrës së Ibrahim Bashës, i cili pikërisht kësaj të ardhmeje, kësaj ëndrre të madhe, i kushtoi edhe jetën e gjakun e tij.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Ibrahim Bashës dhe i gjithë dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit dhe gjithë dëshmorëve të tjerë të Shqipërisë. Faleminderit!