Lleshaj nga Saranda: Do të shtojmë 500 efektivë të rinj në radhët e policisë, ligj të ri për policitë bashkiake
Policia e Shtetit do të shtohet me 500 efektivë të rinj, ndërsa shumë shpejt pritet që të miratohet edhe një ligj i ri, që parashikon zgjerimin e kompetencave për policitë bashkiake.
Lajmin e dha ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë një takimi paraditen e sotme në Sarandë me kryetarët e bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol dhe deputetët e qarkut Vlorë, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik, masat për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër ndërtimeve pa leje, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.
“Kemi një polici të vogël ndër më të voglat në rajon. Kryeministri ka dhënë miratimin për shtimin e 500 punonjësve të rinj të policisë për të shtuar kapacitetet dhe për të rikonceptuar kapacitet e policisë” tha ai.
“Do të ketë një ligj të ri për policinë bashkiake për rritjen e nivelit për t’i shndërruar në një zgjatim të policisë së shtetit në nivelin lokal” tha ai.
Shqetësimit të ngritur nga deputetët e zonës për vjedhjet në fshatrat e minoritetit, Lleshaj iu përgjigj me këtë zgjidhje “Kemi djem dhe vajza të rinj për t’u rekrutuar në policinë e shtetit nga minoritet për t’i lënë të shërbejnë po aty për një performancë më të lartë në këto zona” tha ai.
Lleshaj nuk harroi gjithashtu që t’u linte porosi drejtuesve të institucioneve vijën bregdetare. “Nuk duhet të cenohet më tej, asnjë gurë dhe asnjë tullë pa leje“. Deputeti Alket Hyseni kërkoi një strukturë autonome nga IKMT vetëm për Sarandën, pasi sipas tij është imediate për mbrojtjen e vijës bregdetare. Po ashtu edhe lufta kundër kanabisit ishte në fokus. “Shumë figura të krimit në Shqipëri e kanë origjinën te kanabisi, i kanë fuqizuar” përfundoi Lleshaj.