Finiq, kryebashkiaku takim me banorët e fshatit Krane për problemin e vjedhjeve
Takim me banorët e fshatit Krane kishte dje kryetari i Bashkisë Finiq zoti Kristo Kiço.
Në sheshin qëndror, pranë kishës së shën Gjergjit diskutuan me seriozitet të plotë problemin e pasigurisë që krijohet nga vjedhjet e njëpasnjëshme si dhe mënyrat e përballimit të tyre.
Kryetari i fshatit zoti Irakli Kiço referoi gjerësisht rastet e vjedhjeve të fundit në fshat dhe theksoi se këto ngjarje kanë qëllimin të provokojnë frikë dhe pasiguri tek banorët.
Zotërinjtë Vaso Kiço dhe Stavro Gjino, dy nga viktimat e vjedhjeve të fundit përshkruan dëmin që shkaktuan në shtëpitë e tyre dhe kërkuan nga kryetari i bashkisë të merren masa serioze nga organet e rendit për parandalimin e tyre sepse këto veprime rezikojnë jo vetëm pasurinë por edhe jetën e tyre.
Nënkryetari i bashkisë dhe njëkohësisht djali i këtij fshati, zoti Jani Harisi midis të tjerave në fjalën e tij theksoi domosdoshmërinë e vetëmbrojtjes me përdorimin e mënyrave moderne të identifikimit të lëvizjeve të dyshimta në fshat dhe ftoi bashkëfshatarët të kontribuojnë në këtë përpjekje.
Këtë domosdoshmëri e përforcoi edhe mësuesi veteran Thoma Thanasi.
I sapoemëruari drejtor i shërbimeve të mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Finiqit zoti Vasil Valera shpalosi planin e bashkisë për zbatimin e masave ndihmëse në shërbim të sigurisë së qytetarëve nga ana e policisë bashkiake për aq sa e lejon ligji.
Kryetari i bashkisë ,zoti Kristo Kiço, duke theksuar seriozitetin dhe përmasat që kanë marrë vjedhjet në fshatrat e bashkisë Finiq, u përqëndrua në përpjekjet e bashkisë jo vetëm për të bërë të njohur situatën por edhe për marrjen e masave imediate për parandalimin e këtyre ngjarjeve.
Deklaroi tek banorët se komunikoi me Ministrin Lleshaj dhe në ditët në vijim do të organizohet një takim në Livadhja me vetë Ministrin Lleshaj, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit , me Prefektin dhe deputetët e zonës ku do të trajtohen shqetësimet dhe do të propozohen masa për zgjidhjen e problemit të rendit.
Banorët e fshatit falenderuan kryetarin e bashkisë zotin Kiço që këto momente të vështira gjendet pranë tyre dhe u angazhuan se do të kontribuojnë për forcimin e sigurisë dhe të mbrojtjes së pronës së tyre .