EMRI/ Operacioni i koduar “Teleferiku”, arrestohet 30- vjeçari nga Tepelena

Operacioni nga Njësia Speciale FAST ALBANIA.

Kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, i dënuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Mesditës e sotme, Njësia Speciale FAST ALBANIA, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për lëvizjen e një personi të shpallur në kërkim, i cili qarkullonte me dokument të falsifikuar për t’iu shmangur identifikimit nga punonjësit e Policisë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Teleferiku”.

Si rezultat i mirorganizmit, në vendin e quajtur “Rruga e Teleferikut” është bërë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim Julian Çela, 30 vjeç, banues në Tepelenë.

Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi në vitin 2015, Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”.

Në momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjet një dokument i falsifikuar, me fotografinë e tij dhe të dhënat e vëllait të tij, me qëllim që t’i shmangej identifikimit nga ana e punonjësve të Policisë.

Njësia Speciale FAST ALBANIA ka grumbulluar shumë informacione për persona të shpallur në kërkim, të siguruara qoftë në rrugë operative, por edhe nga qytetarët, pas publikimit në media të personave të kërkuar.

Në bashkëpunim me Njësinë Speciale ENFAST dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, Njësia Speciale FAST ALBANIA po vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.