Eksperti e konfirmon: Pema e Piperit në qendër të Sarandës e mbjellë nga Naim Frashëri 145 vite më parë
Pema e madhe e piperit në zemër të Sarandës është mbjellë nga dora e Naim Frashërit …dhe këto nuk janë vetëm disa rreshta në librin e të ndjerit Moikom Zeqo.
Banorët e thonë mes njëri- tjetrit si në formë gojëdhëne, por ajo është një fakt, të cilin e pohon edhe eksperti Jashar Bello, përgjegjës i Gjelbërimit në Bashki, pas interesimit nga Report Tv.
Pema është 145 vjeçare dhe është mbjellë në kohën kur Naim Frashëri punonte doganier në këtë qytet.
Pavarësisht moshës, për ekspertin ajo është në gjendje jo shumë të keqe, por kjo nuk është meritë e institucioneve vendore në Sarandë, të cilët janë “kursyer” në shërbimet që i kanë bërë, pavarësisht vlerës dhe rëndësisë së veçantë që ajo mbart.
Disa krasitje, spërkatje i janë bërë si për ta mbajtur të gjallë, e që të mos ketë fatin e “simotrës” së saj, e cila u pre pas viteve ’90. Bello rrëfen edhe veçantinë e kësaj peme, e cila edhe pse nga “zemra” e saj janë marrë edhe 5 rrënjë të tjera të mbjella te shëtitorja, ato arrijnë deri te lulëzimi, por nuk bëjnë kokrra.
Po e drejtë! Kjo lloj peme dekorative është mbjell nga Naimi i cili ka punuar në doganën e Sarandës rreth 145 vite më parë, përveç kësaj peme të piperit, Naimi ka sjellë edhe buganvilen, që i themi lulja e Sarandës. Por le të flasim për piperin që është një peme dekorative e rrallë. Këtu kanë qenë dy pemë, njëra është shkatërruar pas viteve ’90 siç ndodhi shkatërrimi në gjithë sferat e jetës por shyqyr që jetoi kjo peme. Ne kemi bërë ndërhyrje, krasitje dhe spërkatje, por edhe ndërhyrje të veçanta.
Si pemë 145 vjeçare që është, është në gjendje jo shumë të keqe, por ka nevojë për shërbime që ne vazhdojmë ti kryejmë. Ne do ta mirëmbajmë dhe shyqyr qe e kemi se e është e rrallë.
Nga kjo lloj peme kemi mbjellë dhe 5 të tjera tek shëtitorja e re që po bëhet, por nuk kanë vlerat e saj. Kjo lloj peme e mbyll ciklin biologjik tek kokrra, ndërsa pemët e reja nuk arrijnë të krijojnë kokrra e mbyllin ciklin tek lulëzimi”, rrëfen eksperti.
Për të shkuar deri te kjo pemë, mund të orientohesh vetëm nga banorët e zonës, pasi nuk ka një tabelë që e identifikon atë apo që rrëfen historinë e saj. Në pamje të parë, ngjan krejtësisht zakonshme, e gjendur qendër të qytetit bregdetar, në një vend të braktisur, aspak mikpritës…e lënë në harresë nga autoritetet vendore, e për pasojë edhe nga turistët e zonës. Ajo sot shërben vetëm si një vend strehim për përdoruesit e drogës…