Dokumenti i CIA/ “Armiqtë” amerikanë më 1978: Minoriteti grek në Shqipëri ka përfituar më tepër se meriton
Nga Ferdinand Dervishi
Nëse ka një të vërtetë që e njohin të gjithë, jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt, padyshim edhe grekët, është ajo që thotë se minoriteti grek në Shqipëri, të paktën qysh nga koha e komunizmit, është trajtuar me kujdes dhe njëlloj si popullsia shqiptare.
Por ka edhe një tjetër fakt, që e njohin të gjithë dhe që thotë se, pavarësisht së vërtetës, grekët, pashmangsisht edhe Athina zyrtare, historikisht u kanë mëshuar akūzave për kēqtrajtim të këtij minoriteti.
Së fundmi kjo është dëgjuar edhe nga goja e kryeministrit grek Qirjako Micotaqi (Kyriakos Mitsotakis), por, fare e freskët, edhe nga përsëritësit apo papagallët, që mbrojnë interesat greke në Shqipëri, siç është i zakonshmi Vangjel Dule, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
“Fshati që duket nuk do kallauz” – thotë një fjalë e urtë shqiptare e mbase e pranishme edhe në gjuhët e tjera të Ballkanit. Dhe sigurisht që Dule dhe të tjerë, që janë edhe vetë minoritarë, e dinë se askush nuk i ka trajtuar si joshqiptarë.
Kjo sjellje nuk ka lidhje vetëm me karakterin pranues të shqiptarëve, që ka si shembull tolerancën fetare, por edhe me faktin se shqiptarët, për shkak të emigrantëve, tashmë kanë lidhje më të forta me Greqinë e grekët.
Aq më tepër që Greqisë i njihet edhe merita, që, si shtet më i fuqishëm, më i integruar dhe më kërkues, nuk ka e ka reshtur asnjëherë interesin për minoritetet e saj etnike.
Që minoriteti etnik grek ka qenë i respektuar, madje më tepër se sa e meriton, këtë e thotë edhe një studim i hollësishëm i CIA-s, shërbimit inteligjent amerikan, i vitit 1978.
Duhet nënvizuar që në këtë periudhë Greqia ishte një nga aleatët më të afërt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Shqipëria – një kundërshtare e bezdisur, e rreshtuar ideologjikisht në krah të vendeve të Komunizmit Lindor.
Pra, e përmbledhur, amerikanët, shërbimi i tyre inteligjent, në vitin 1978, nuk kishin asnjë interes të shkruan ndonjë informacion në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ja përmbajtja e përkthyer e pjesës ku flitet për minoritetin grek në këtë dokument:
“…Pretendimet historike të të dyjave, Shqipërisë dhe Greqisë në këtë zonë janë të turbullta. Ato janë të bazuara në interpretime kundërshtuese të ngjarjeve të Mesjetës, kur zona ishte pjesë e Perandorisë Bizantine.
Personalitete të paanshëm bien dakord se është e vështirë të ç’mpleksësh origjinën e shumicës së banorëve të zonës, raca, kultura dhe religjioni i të cilëve, gjatë shekujve, janë bërë kaq të përziera.
Për më tepër, asnjë provë nuk mbështet akuzat greke se minoriteti i tyre në jug të Shqipërisë pērsekutohet nga regjimi i Enver Hoxhës; në fakt minoriteti grek ka proporcionalisht më tepër përfaqësues në Këshillin e Ministrave dhe në pozicione të tjera të rëndësishme civile e ushtarake…”