VIDEO/ Spoti në prag të sezonit të ri turistik: Këtë verë të pres në Vlorë
“Zgjohesh në mëngjes nën tingujt e valëve të detit”, Për të gjithë ne që trishtimi na ka dhënë kurajë për të shpresuar”, “Për bukurinë që na kujton çdo ditë kush jemi”, “Për historitë e konservuara në shpirtin e Labërisë”, “Për të gjithë ne që jemi ndalur por ende lëvizim”.
Këto janë disa nga mesazhet që të ftojnë të eksplorosh Vlorën dhe ta shijosh verën aty këtë vit. Në Vlorën që ndërthuret aq bukur mes klasikes dhe tradicionales dhe të josh për ta shkelur e përqafuar.
“Fari, udhërrëfyesi i detarëve le të jetë këtë herë udhërrëfyesi i të gjithë shqiptarëve për të zgjedhur Vlorën, si destinacionin turistik të kësaj vere. Ju presim në Vlorë. Le ta fitojmë këtë betejë së bashku”, apelon kryebashkiaku Dritan Leli.
Është prezantuar mbrëmjen e kaluar kështu spoti publicitar për Vlorën, në një aktivitet në ambient të hapur me pjesëmarrjen e disa prej përfaqësuesve të biznesit.
Kryebashkiaku Leli deklaroi se Vlora ka pafund personazhe, ka pafund shefa kuzhine, ka pafund miq të mirë të turizmit, përfaqësues të shkëlqyer të hoteleve që dinë të bëjnë punë, që dinë të servirin vlera dhe mbi të gjitha të na bëjnë krenarë për qytetin ku jetojmë dhe për çdo gjë tjetër që ne duam t’iu tregojmë të tjerëve dhe t’i bëjmë ata që të vijnë të vizitojnë Vlorën.
MESAZHI I PLOTË
Fillimi i majit për hapjen e sezonit turistik ka qenë gjithmonë një festë e madhe dhe edhe për këtë vit bashkë me zyrën e turizmit, me të gjithë përfaqësuesit e biznesit dhe turizmit të cilët dua t’i falënderoj në mënyrë të veçantë për mbështetjen që i kanë dhënë promovimit të qytetit ne i filluam përgatitjet që në janar, më herët se çdo vit tjetër dhe në shkurt u kurorëzua me një aktivitet të rëndësishëm në Leçe ku bashkia e Vlorës bashkë me përfaqësuesit e turizmit, me mediat e qytetit shkuam për të promovuar vlerat turistike të Vlorës dhe sigurisht që ishte një sipërmarrje jo nga ato të kollajtat por që pati një sukses të madh, u ndoq nga shumë njerëz dhe pati interesin që prisnim dhe donim për bizneset e turizmit në territorin e bashkisë së Vlorës dhe për kuriozitetin për të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë.
Me zyrën e turizmit kishim vendosur që këtë vit të bënim rreth 10 ditë aktivitete dhe do t’i kurorëzonim me aktivitetin e datës 9, ku bashkë me ambasadorin Soreca në vizitën që ai bëri në bashkinë e Vlorës para pak kohësh kishim vendosur që të festonim ditën e Europës.
Të gjitha në fakt nuk ndodhën. Siç kemi përjetuar së bashku në këta 2 muaj, situata me të cilën është përballur njerëzimi, ku ne kemi qenë pjesë e kësaj përballjeje i ka vënë njerëzit përballë sfidave të çuditshme, përballë organizimit të jetës në mënyrë tërësisht tjetër ku kjo gjë nuk mund të linte pa prekur dhe atë që është krenaria e qytetit, industrinë e turizmit.
Më vjen mirë që stafi është kujdesur që të mos ftojë shumë njerëz.
Më duket se zyra e turizmit ka 1-2 persona, ndërkohë që iu ka lënë vend bizneseve duke respektuar grumbullimin me pak njerëz, brenda 15-20 personave, kështu që unë dua t’ju falënderoj shumë që zgjodhët që ta ndajmë këtë mbrëmje së bashku dhe të fillojmë që nga sot përgatitjet për një sezon turistik të suksesshëm aq sa kushtet do të na lejojnë të kemi një të tillë.
Bashkë me të gjithë miqtë e tjerë të Vlorës, turizmit punuam së bashku për disa ditë për të përgatitur një spot publicitar për të promovuar Vlorën.
Sigurisht, çdokush nga ju do mund të ishte aty sepse çdo kush nga ju meriton shumë por atë përzgjedhje që kishin bërë grupi i organizimit të këtij spoti publicitar ishte që të zgjidhnim personazhe pikante të qytetit dhe të transmetonim një imazh të Vlorës, ashtu siç Vlora meriton.
Një mikesha ime më shkroi dje, Bujari tek videoja fantastik. Është personazh. I thashë kur një nga miqtë e mi e takoi për herë të parë Bujarin në restorant më tha ky duket nga ato personazhet e shkëputur nga librat francezë.
Dhe vërtetë Vlora ka pafund personazhe, ka pafund shefa kuzhine, ka pafund miq të mirë të turizmit, përfaqësues të shkëlqyer të hoteleve që dinë të bëjnë punë, që dinë të servirin vlera dhe mbi të gjitha të na bëjnë krenarë për qytetin ku jetojmë dhe për çdo gjë tjetër që ne duam t’iu tregojmë të tjerëve dhe t’i bëjmë ata që të vijnë të vizitojnë Vlorën.
Nuk e di pse kam një shpresë që rritja e temperaturave që do të fillojë nga java tjetër do të fillojë dhe do të ulë virulencën e COVID-19 për të na dhënë mundësi të gjithëve që të bëjmë turizëm sepse ekonomia e turizmit është më e rëndësishmja ekonomi e territorit.
Për Vlorën sigurisht është ajo që mban flamurin në atë që ne duam të kemi për ekonominë e qytetit por kushtet do të na detyrojnë të vendosim ca rregulla, të përshtatemi me vështirësitë që kemi dhe në fund fare t’ia dalim dhe të fitojmë dhe në këtë betejë të përbashkët.
Jam i bindur që të gjithë bashkë, siç treguam në këto ditë të vështira karantinimi ia dolëm të jemi qytetarë të denjë të qytetit tonë, ia dolëm që të respektojmë kushtet që na u vendosën për t’u sjellë në mënyrë korrekte por kemi një sfidë tjetër përpara, të vazhdojmë të respektojmë njeri-tjetrin, të vazhdojmë të respektojmë masat e marra në mënyrë që sezoni turistik të ketë sukses dhe suksesin mund ta bëjmë të gjithë së bashku.
Dua t’ju uroj të gjithëve suksese në këtë sezon që presim me kaq padurim, sukses në ekonomitë tuaja familjare, në bizneset tuaja gjithashtu dhe në çdo gjë tjetër që ne duam të kemi së bashku.
Më në fund dhe më të mirë gjë që duhet të ndjekim është të ruajmë integritetin e investimeve të realizuara në qytet dhe duke u përpjekur që t’i promovojmë ato sa më shumë dhe t’i bëjmë të suksesshme të kujdesimi për jetët e njeri-tjetrit sepse kjo është shumë e rëndësishme dhe unë jam i bindur që të gjithë së bashku do t’ia dalim të bëhemi fitues në një sfidë të tillë. Uroj që sezoni të ketë fillesat e veta sa më shpejt.
Problemet tuaja janë specifike, të vështira, unë jam në krahun tuaj, në mbështetjen tuaj maksimale për të gjetur më të mirën që ekonomia turistike të zhvillojë qytetin. Nga ekonomia turistike nuk fitoni vetëm ju por dhe qyteti.
Spoti në prag të sezonit të ri turistik: Këtë verë të pres në #Vlorë ☀️????#VisitVlora #VisitAlbania #Sarandanews
Posted by Sarandanews.com on Saturday, May 9, 2020