Transformohet plazhi i Himarës, Policia gjobit biznesin që ndërhyri

Nëse shihni këtë plazh do të mendoni se pamjet vijnë nga bregdeti me rërë i Durrësit apo Shëngjinit. Në fakt ato janë xhiruar në Himarë.

Një nga bizneset e zonës ka ndërhyrë me mjete të rënda dhe ka hequr guralecët e zakonshëm për këtë zonë dhe ka shtruar bregun me rërë duke transformuar në këtë mënyrë ekosistemin e saj.

Pas publikimit në rrjetet sociale ka ndërhyrë policia dhe Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit që ka marrë një masë administrative ndaj hotelit që ka bërë ndërhyrjen.

Sipas policisë subjekti privat ka bërë ndërhyrje të paligjshme në sistemimin e plazhit bregdetar duke hedhur mbeturina dhe inerte, si dhe ka ndërhyrë duke rindërtuar me dërrasa një objekt në plazh, pa leje nga autoritetet.

Subjekti është penalizuar me 2.5 milionë lekë të reja për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Ndërtim pa leje”. IKMT thotë se nisi procedurat ligjore duke pezulluar çdo lloj punimi të mëtejshëm.