Rama: Komitët patriotë të Shqupit po nxisin komunitetin mysliman t’i bashkohet revolucionit imagjinar
Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook, u shpreh se opozita po mundohet të nxisë komunitetin mysliman që t’i bashkohet “Revolucionit të tyre imagjinar për Bajram”.
“Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin musliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram.
Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterrur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre”, shkruan Rama, përpara se të japë njoftimin se nga java e ardhshme do të hapet aktiviteti i tempujve.
“Pasi kemi bashkëpunuar këto javë me komunitetet fetare dhe kemi përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, duke marrë, vlerësuar e miratuar propozimet e tyre, jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme, me të gjitha kufizimet përkatëse, duke e nisur nesër me këmbë të mbarë e me bekimin e dritës së ditës së bukur të kalendarit të besimit.
Duke ju uruar megjithë zemër bajramin besimtarëve muslimanë, uroj edhe që hapja e xhamive (nën kujdesin e madh të drejtuesve shpirtërorë të komunitetit për respektimin e protokollit të propozuar prej vetë atyre) të jetë një ogur i mirë paqeje e mirësish, për të gjitha komunitetet dhe vetë shqipërinë e shqiptarët në këtë kohë jo të lehtë”, shton Rama në rrjetin social.