Qeverisja socialiste i ‘hodhi prangat’, ish-kryebashkiaku i Vlorës: Me mua eksperimentuan por prapë them faleminderit
Ish-kryebashkiaku i PS Shpëtim Gjika pavarësisht peripecive që kaloi në qeverisjen e gjyrave për të cilat punoi, duket se ka hedhur pas krahëve qejfmbetjet dhe ka gjetur forcën për të thënë ‘faleminderit’.
Gjika ka zgjedhur një foto nga koha kur vlonjatët i besuan drejtimin e bashkisë për t’u shprehur mirënjohjen qytetarëve të zakonshëm, teksa pranon njëherazi se me të është eksperimentuar.
“Respekt dhe mirënjohje pafund për të gjithë ata që besuan, mbështetën, përkrahën, fuqizuan, përçuan, votuan, numëruan dhe kontribuuan në fitoren e zgjedhjeve bashkiake Maj 2011 !
Pavarësisht gjithçkaje është “thënë” për mua, e është “eksperimentuar” me mua, ndjehem i lumtur dhe krenar që kurrë, asnjëherë nuk kam shpërdoruar me ndërgjegje besimin e kujtdo prej jush !
Faleminderit për gjithçka keni bërë për mua në ditë të mira dhe në kohë të vështira”, shkruan Gjika i cili në shkurt të 2015-ës u arrestua për falsifikim dokumentash e shpërdorim detyre edhe pse në nëntor të 2017-ës, rezultoi i pafajshëm me vendim gjykate.