Problemet e shumëfishta me vilën 5-katëshe i kushtuan karrierën gjyqtarit Astrit Shema
Kryetari i Gjykatës Administrative të Vlorës, Astrit Shema u shkarkua më 21 shkurt, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit identifikoi pamundësi financiare në vlera të mëdha për blerjen e një trualli 500 m2 në Tiranë; ndërtimin në mënyrë informale të një godine 5 katëshe e kryerjen e investimeve të tjera. Në vendimin e arsyetuar, gjyqtari u penalizua edhe nga deklarimet e pasakta, mospërputhjet dhe përpjekjet për fshehjen e fakteve të rëndësishme për pasurinë e tij.
“Subjekti i rivlerësimit nuk ka shpjeguar në mënyrë të besueshme origjinën e ligjshme të pasurive të përmendura në këtë vendim, … është përpjekur të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, zotërim dhe përdorim të tij dhe nuk arritit të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit,” thuhet në vendim.
Trupi gjykues i drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Xhensila Pine argumenton gjithashtu se duke kryer ndërtim pa leje, Shema ka cënuar parimet themelore të një magjistrati. Në vendim konstatohet mosrespektimi i një kontrate për blerjen e një apartamenti si i pastrehë në Përmet dhe pamundësinë e vërtetimit të burimeve të ligjshme të një apartamenti që ka pasur në përdorim për disa vite në Vlorë.
Astrit Shema e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Ai ka punuar si gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës së Përmetit deri në vitin 2008 dhe më pas gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Në vitin 2011, Shema është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Vlorës, ndërsa në vitin 2013 është dekretuar si anëtar i Gjykatës Administrative të Vlorës.
Komisioni e përfundoi procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Shema vetëm për kriterin e pasurisë.
Mungesë burimesh për truallin në Tiranë
Komisioni evidenton mungesë të burimeve financiare të gjyqtarit Astrit Shema për blerjen e një trualli 500 m2 në Tiranë në vitin 2002, në bashkëpronësi me tre persona të tjerë, për të cilët subjekti ka deklaruar se i ka kushërinj të parë. KPK i ka konsideruar tre bashkëpronarët si persona të tjerë të lidhur dhe ka verifikuar mundësinë e tyre financiare për blerjen e pjesës takuese të truallit. Sipas trupit gjykues, dy nga tre bashkëpronarët nuk kanë pasur burime për blerjen e pjesës së tyre të këtij trualli.
Në deklaratën veting, Shema ka deklaruar se vlera totale e kësaj pasurie është 3.9 milionë lekë, ndërkohë që ai zotëron 25% me vlerën 975 mijë lekë. Në vitin 2017, Shema nuk e ka pasqyruar burimin e krijimit të kësaj pasurie, ndërsa në vitin 2003 ka deklaruar si burim të ardhurat familjare për periudhën 18-vjeçare të punësimit në sektorë të ndryshëm shtetërorë.
Nga hetimi administrativ ka rezultuar se kjo pronë është blerë më datë 5 mars 2002 nga gjyqtari Astrit Shema dhe tre të afërmit e tjerë: K.B., A.O. dhe Sh.M., në shumën 3.9 milionë lekë. Bashkëpronari i truallit, A.O., ia ka shitur pjesën e tij më datë 29 tetor 2003 blerësit F.B. në shumën 1 milionë lekë. Në këtë kontratë, A.O. është përfaqësuar nga baxhanaku i tij, gjyqtari Astrit Shema.
Komisioni ka konstatuar fillimisht se gjyqtari Shema nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e ¼ së truallit në vitin 2002, pasi ka rezultuar me balancë negative në vlerën 1.1 milion lekë. Edhe pas prapësimeve të subjektit, balanca ka mbetur negative në shumën 899 mijë lekë.
Trupi gjykues identifikoi probleme të shumta për banesën 5-katëshe që Shema zotëron në bashkëpronësi me kushërinjtë K.B., F.B. dhe Sh.M., të ndërtuar mbi truallin 500 m2 që ata kanë blerë së bashku në Tiranë. Gjyqtari ka sqaruar se për këtë banesë me sipërfaqe ndërtimore 199.5 m2 dhe katin përdhes 162.4 m2, është siguruar leja e legalizimit në shtator 2013 dhe vërtetimi hipotekor një vit më vonë, por ende nuk zotërohet certifikatë pronësie. Ai ka shpjeguar se çdo bashkëpronar zotëron një kat, ndërsa katin përdhes e zotëron në bashkëpronësi me Sh.M. .
Komisioni konstaton mospërputhje midis deklarimit të vitit 2005 dhe dokumentacionit të administruar nga ALUIZN-i, në lidhje me vitin e fillimit të ndërtimit, pasi Shema e ka deklaruar për herë të parë fillimin e ndërtimit të ndërtesës në bashkëpronësi në vitin 2005, ndërsa nga praktika e legalizimit është gjetur formulari i vetëdeklarimit të katër bashkëpronarëve i datës 17 mars 2005, sipas të cilit viti i ndërtimit është data 1 maj 1999.
Shema ka ndryshuar qëndrim para Komisionit duke deklaruar se ndërtimi i banesës ka filluar në vitin 2003 dhe ka përfunduar në vitin 2008. Ai ka pretenduar se ka qenë gabim i ALUIZN-it, pasi nuk ka plotësuar ndonjë vetëdeklarim ku të ketë theksuar që ndërtimi ka filluar më 1 maj 1999 dhe se në atë kohë nuk kishte pasur në pronësi asnjë truall.
Gjyqtari Shema ka shtuar se në fund të vitit 2004, për shkak të burokracive të kohës, nuk është bërë e mundur dalja e lejes së ndërtimit dhe se bashkëpronarët e tjerë kanë marrë vendim të nisin punimet, edhe pse ai ka qenë i mendimit që të sigurohej më parë leja ndërtimore.
Për të konkluduar periudhën e vërtetë të fillimit të punimeve me qëllim kryerjen e analizës financiare, KPK ka verifikuar edhe pamjet ndër vite të Google Earth, prej nga ka rezultuar se në qershor të vitit 2002 nuk kishte filluar ndërtimi i objektit, ndërsa në janar të 2003-it evidentohet se janë hedhur themelet dhe në tetor të vitit 2004 karabinaja e ndërtesës ka qenë e përfunduar.
Pavarësisht pamjeve satelitore, KPK konsideroi si provë për fillimin dhe mbarimin e punimeve, aktin e kolaudimit, ku përcaktohet se punimet kanë filluar në maj të vitit 2002 dhe kanë përfunduar në prill 2006 – si edhe një deklaratë noteriale të bashkëpronarëve të dorëzuar në dhjetor 2009 për legalizim, ku shënohen të dhëna të njëjta. Komisioni merr në konsideratë edhe pamjet në Google Earth ku evidentohet se në vitin 2003 janë hedhur themelet për ndërtimin e objektit pesë katësh dhe në vitin 2004 është përfunduar karabinaja.
KPK nuk është bindur nga pretendimet e gjyqtarit Shema, i cili ka shpjeguar se periudha e deklaruar në këto dy dokumente është për efekt legalizimi, duke konstatuar se subjekti dhe bashkë-investitorët e tjerë nuk kanë pasur arsye të deklarojnë në vitin 2009 objektin në fazë karabinaje, kur sipas tij objekti kishte përfunduar në vitin 2008.
“Komisioni arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar në mënyrë të pasaktë dhe është përpjekur të fshehë fakte të rëndësishme për pasuritë në pronësi të tij, si dhe ka bërë deklarim të rremë në lidhje me datën e fillimit të punimeve të ndërtimit”, citohet në vendim.
Komisioni konstaton më tej se ndërtimi informal i kryer nga gjyqtari Shema dhe bashkëpronarët e tjerë të truallit 500 m2 bie ndesh me ligjin nr. 8405/1998, “Për urbanistikën”, ku përcaktohet çdo individ duhet të pajiset me leje ndërtimi para se të ndërtojë.
Ashtu si në rastin e truallit, Komisioni konkludon pamundësi financiare të gjyqtarit Shema dhe të dy prej tre bashkë-investitorëve, edhe për ndërtimin e godinës 5-katëshe.
Në deklaratën veting, Shema ka pasqyruar si vlerë të shpenzuar për ndërtimin e banesës informale për pjesën takuese shumën 60 mijë euro. Si burim krijimi ai ka deklaruar pagat dhe shpërblimet e tij dhe të bashkëshortes ndër vite; një hua në shumën 10 mijë euro nga A.O. dhe kredi bankare marrë në “Alpha Bank” Tiranë në shumën 30 mijë euro, për të cilën është vendosur si kolateral ish-banesa e shtetasve P. dhe Sh.G. e ndodhur në Sarandë.
Këta të fundit, pas shitjes së apartamentit në shumën 3.190.000 lekë, i kanë dhënë gjyqtarit Shema vlerën për të shlyer detyrimin e mbetur ndaj “Alpha Bank” dhe kanë lidhur kontratë huadhënie me subjektin dhe bashkëshorten e tij, në shumën 26.500 euro, vlerë e shlyer ndër vite deri në fund të vitit 2016.
Shema ka deklaruar para Komisionit se nuk disponon dokumentacion justifikues ligjor në lidhje me etapat dhe zërat e punimeve të kryera, pasi investimi në godinën 5-katëshe nuk është kryer me ndonjë firmë ndërtimi. Komisioni nuk e ka konsideruar si burim për ndërtimin e banesës vlerën e kredisë bankare marrë tek “Alpha Bank” në shumën 30 mijë euro, pasi ka rezultuar të jetë disbursuar pas përfundimit të punimeve.
“Si konkluzion, subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe është përpjekur të fshehë qëllimin e vërtetë të marrjes së kësaj kredie, me qëllim që të justifikonte investimin e kryer për ndërtimin e godinës ***-katëshe prej tij,” thuhet në vendimin e KPK-së.
Sipas Komisionit, subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve të ligjshme në shumën 3.7 milionë lekë gjatë viteve 2003 – 2006, për të investuar në ndërtimin e pjesës së tij takuese në godinën pesë-katëshe, pavarësisht se huadhënësi A.O. ka pasur burime të ligjshme për dhënien e huas prej 10 mijë euro.
Trupi gjykues konstaton mospërputhje edhe në deklarimet për shumën e investuar në ndërtimin e kësaj godine duke qenë se në deklaratën veting pasqyrohet shuma 60 mijë euro dhe në atë vjetore vlera 51.394 euro. Për këtë mospërputhje Shema ka deklaruar se në në shumën rreth 60 mijë euro përfshihet edhe vlera e truallit dhe investimit. Por Komisioni nuk është bindur nga ky shpjegim, pasi në deklaratën veting, subjekti e ka deklaruar të ndarë vlerën për blerjen e truallit në shumën 975.000 lekë.
Mungesa finanaciare e mosdeklarime
Përveç problemeve me pasurinë kryesore të patundshme, KPK evidentoi mungesë burimesh të ligjshme edhe në investime të tjera të gjyqtarit Shema. Në vendim thuhet se nuk justifikohet blerja e një pajisjeje për ngrohje-ftohje në vitin 2015 në vlerën e 321 mijë lekëve.
Gjithashtu, ka rezultuar se nuk është deklaruar saktë burimi i blerjes së një autoveture tip “Mercedes-Benz 210”; e deklaruar në vlerën e 800 mijë lekëve në vitin 2010. Në vendim thuhet se Shema nuk e ka deklaruar burimin e krijimit në deklaratën veting, ndërkohë që ka pranuar se ka pasur mungesë likuditetesh të mjaftueshme për blerjen e kësaj makine në shumën 290 mijë lekë dhe se për këtë arsye ka marrë hua në shumën 350 mijë lekë. KPK konstaton se Shema nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm as shitjen e këtij mjeti pas 7 vitesh në vlerën 476.740 lekë.
Kreu i Gjykatës Administrative u penalizua edhe për mosdeklarimin e tre llogarive bankare në emër të bashkëshortes dhe djalit në deklaratën veting. Trupi gjykues konstaton edhe mosdeklarimin e një trualli me sipërfaqe 4000 m2 në bashkëpronësi, të përfituar si trashëgimtar. Në vendim thuhet se Shema e ka pasqyruar këtë pasuri në deklaratën periodike vjetore të vitit 2003, por nuk ka bërë asnjë shënim në deklaratën veting.
Në përfundim, nga analiza financiare e kryer prej Komisionit, ka rezultuar se Shema dhe personat e lidhur kanë mungesë të ardhurash të ligjshme për blerjen e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve në vlerën 7.7 milionë lekë.
Apartamenti në Përmet
Trupi gjykues evidenton mosrespektimin e kontratës së shit-blerjes për një apartament me sipërfaqe 67.54 m2 që Shema e ka përfituar si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB në Përmet në shkurt të vitit 1996 kundrejt vlerës 936 mijë lekë, që duhej ta shlyente për 25 vjet kundrejt pagesës mujore 2.683 lekë.
Referuar deklarimeve periodike të gjyqtarit Shema, rezulton se ai nuk ka paguar këstet e kredisë për vitet 2003 – 2009 edhe pse në në kontratë parashikohet se, nëse blerësi nuk shlyen pagesën mujore për 3 muaj rresht, atëherë shitësi ka të drejtë ta prishë kontratën. Për shkak se EKB nuk e ka ushtruar këtë të drejtë, Shema ka vijuar të bëjë pagesat për vitet 2010-2016 dhe ka shlyer detyrimet e prapambetura.
Ai ka shpjeguar se e ka ndëprerë pagesën e kësteve në vitin 2003, pasi në apartament janë shfaqur probleme prej lagështisë që krijohej nga dëmtimi tarracës dhe për shkak se nuk po bëhej i mundur kthimi në gjendjen normale, ka qenë i gatshëm edhe për të prishur kontratën, nëse do të kërkohej nga EKB-ja.
Shema ka shtuar se pas eliminimit të lagështisë, në vitin 2009 ka kryer pagesën e kësteve të kredisë dhe detyrimet e prapambetura. Në vendim thuhet se aktualisht kanë mbetur pa u shlyer 60 mijë lekë dhe se afati përfundon në vitin 2021.
Komisioni konstaton se gjyqtari Shema ka vepruar në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në kontratën e shitjes, edhe lidhur me dhënien me qira të këtij apartamenti në vitin 2014 dhe 2015, pasi një gjë e tillë nuk lejohej. Subjekti është justifikuar duke deklaruar se, nëse apartamenti nuk do të përdorej, do të dëmtohej.