Festivali i Gjirokastrës në pikëpyetje, Margariti: Marrim vendim të mërkurën
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës nuk dihet ende nëse do të zhvillohet këtë vit apo jo, siç ishte njoftuar më herët nga Ministria e Kulturës se do të mbahej në muajin shtator.
Ministrja Elva Margariti, e ftuar në emisionin “60 minuta” në Scan Tv, tha se vendimi do të merret në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.
“Ne nuk kemi ndalur punën për realizimin e festivalit. Por besoj se brenda të kësaj të mërkure do duhet të marrim një vendim së bashku, pasi është diçka që nuk lidhet vetem me Ministrinë e Kulturës”, tha Margariti duke iu referuar situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19 dhe masave kufizuese të vendosura nga qeveria.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës ishte parashikuar të mbahej fillimisht në muajin maj, por u shty për shkak të emergjencës së krijuar nga tërmeti dhe vështirësive financiare që kishte qeveria.