Virusi nuk qëndron në rërë apo det! Imunologu Sulçebe tregon si mund të bëhet plazh pa frikë
Imunologu Genc Sulçebe ka qetësuar qytetarët që ndoshta mendonin se virusi mund të qëndrojë apo të transmetohet edhe përmes detit apo rërës. Ai u shpreh në një intervistë tek “ABC-ja e mëngjesit” se, problemi qëndron tek distancimi dhe ambientet e mbipopulluara.
“Virusi nuk qëndron në rërë, gurë apo det, por problemi qëndron të distanca. Por problemi qëndron te ambientet publike pasi aty janë vatrat e infeksionit, por me një edukatë të mirë anti-Covid, mund të shkohet në plazh pa pasur frikë”, tha Sulçebe.
Deri më tani qeveria ende nuk ka një vendim sesi do t’i bëjnë pushimet qytetarët për këtë vit, ndërsa një ide sipas ministrit të Turizmit, Blendi Klosi, është të merret leje për të shkuar në plazh.
Ndërsa kryeministri Rama tha se këtë vit mund të merret në konsideratë vetëm turizmi i brendshëm, pra nuk do të lejohet që të udhëtohet jashtë për pushime.