Testimet në Shqipëri, Tritan Shehu: Në të njëjtin nivel me vendet e Afrikës, të ndryshojë strategjia
Tritan Shehu, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe ish-ministër i Shëndetësisë, u shpreh në A2 se duhet të ndryshohet sa më shpejt strategjia për të dalë nga situata e pandemisë. Ai theksoi se nevojiten më shumë testime, e cila ndihmon në hapjen e vendit.
“Në Shqipëri ka një numër shumë më të madh të prekurish krahasuar me ato shifra të Ministrisë. Kjo është e lidhur me numrin shumë të vogël të testimeve, i cili është në të njëjtat nivele me vendet e Afrikës. Po ashtu, lidhet edhe me mungesën e plotë të testimit imunologjik, i cili këtu te ne është i bllokuar. Ky testim mund të realizohet në disa laboratorë të vendit. Për të realizuar atë që ka thënë OBSH-ja, ndryshimin e strategjisë, duhet kaluar nga një strategji mbrojtëse, në një strategji aktive, e cila ndihmon edhe në hapjen sociale”, u shpreh Shehu.
Ish-deputeti i PD-së thekson se mungon strategjia dhe madje ngre shqetësimin se informacioni nuk është i qartë. “Po të shikosh të dhënat e ditëve të fundit, ka diçka kaotike dhe kjo ka lidhje me mosndjekjen siç duhet të kontaktit. Kjo lidhet me mosmarrjen e informacionit të qartë të simptomave që kanë njerëzit. E gjitha kjo ka ardhur nga mungesa e strategjisë, për të centralizuar çdo gjë në një dorë. Kjo sjell edhe dyshime te shifrat. Duhen shumë struktura të punojnë paralelisht”.
Shehu bëri thirrje të kryhet sa më parë testi i imunologjisë, për të cilin thekson se mund të realizohet në shumicën e laboratorëve në vend. “E kam thënë disa javë më parë, të futet testi i imunologjisë. Ky test është shumë i rëndësishëm. Por të gjitha këto bëhen me të dhëna objektive dhe këto vijnë nga laboratorët. Duhet të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e laboratorëve. Ky test mund të realizohet në shumicën dërrmuese të laboratorëve që ka vendi. Na duhen shifra objektive duke vendosur në lëvizje të gjithë mekanizmat, të gjitha kapacitetet e vendit. Shumica e vendeve të rajonit po përballen me një kurbë të butë, por kjo kërkon masa që mos të acarohet. Me testimet që kemi ne, nuk mund të bëjmë konkluzione të qartë për realitetin në terren. Për këtë arsye kërkohet një strategji e re”, tha Shehu.