Shiteshin produkte në kushte skandaloze, AKU mbyll tregun në Vlorë
Tregtarët e tregut Orizi në Vlorë kanë dalë në protestë pasi AKU ka vendosur mbylljen e tij mëngjesin e sotëm. Ata thonë se për këtë vendim nuk janë lajmëruar të paktë 2 ditë para dhe se mallin blerë do të detyrohen ta hedhin pasi prishet.
AKU i ka kërkuar Bashkisë Vlorë të mbyll tregun pasi nuk respekton masat dhe kushtet higjienike, ndërsa inspektorët mëngjesin e sotëm kanë njoftuar tregtarët se nuk mund të lejohen më të tregtojnë.
“Na lajmëruan sot në mëngjes. unë vajta bleva 30 mijë lekë mall dhe tani i bie të prishen dhe t’i hedh në rrugë. kjo nuk ka logjikë, duhet të na kishte lajmëruar dy ditë para”, shprehet një tregtar.
“Kam 10 vite që tregtoj fruta perime dhe sot kemi bërë furnizim dhe vijmë në treg dhe inspektoret na thotë se nuk do të hapet puna. Unë kam hedhur para, ku t’i çojë. Duhet të kishin ardhur dy ditë përpara, që ne të shisnim mallin e mbetur dhe të mos blinim sot të ri”, shprehet një tregtar tjetër.
“Jam me qira dhe sot në mëngjes kam hedhur 40 mijë lekë mall. Ku ta çojë unë këtë mall e ku t’i gjej lekët”, tha një tregtare.
Ata vijojnë të qëndrojnë të grumbulluar në sheshin e tregut prej orës 5 të mëngjesit në pritje të një përgjigjeje se si do të vijojnë të tregëtojnë mallin për të cilin tashmë kanë investuar pa u paralajmëruar se tregu do të mbyllet.