Qeveria i drejtohet Kuvendit: Gjendja e fatkeqësisë natyrore të zgjatet deri në 23 qershor

Qeveria kërkon të zgjatë gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor të këtij viti. Kryeministri Edi Rama pritet t’i drejtohet Parlamentit për të miratuar zgjatjen e gjendjes aktuale me masat shtrënguese për shkak të situatës me Covid19.  

Edhe në komunikimin e sotëm interesimit të qytetarëve, Rama iu përgjigj  se do të ketë zgjatje të afatit të gjendjes të fatkeqësisë natyrore.  Qeveria me 24 mars shpalli për 1 muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të situatës të krijuar nga koronavirusi. 

“Referuar neneve 100 dhe 174, pika 2, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “d”, të nenit 18, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi që të propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin nr.243, datë 24.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, deri në datën 23.6.2020”, përcaktohet në draftin e  e qeverisë.

NENET E KUSHTETUTES QE KUFIZOHEN NGA GJENDJA E JASHTEZAKONSHME

Kufizimet përfshijnë të drejtat për lëvizjen e lirë, për të punuar, të drejtat për të bërë grevë dhe të drejtat mbi pronën. Gjithashtu gjendja e katastrofës natyrore përfshin edhe detyrime mbi disa profesione për të punuar në domosdoshmëri të komunitetit.

Gjendja e re në të cilën u fut vendi i jep të drejtë autoriteteve të bëjnë kontrolle vetjake jashtë proceseve penale dhe gjithashtu të bëhen edhe kontrolle të banesave.

Gjithashtu kufizohet lëvizja e lirë e cila është parashikuar në nenin 38 tëKushtetutës “Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit”.

 

Neni 37

1.Paprekshmëria e banesës është e garantuar.

  1. Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.
  2. Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik.

Neni 38

  1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit.
  2. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.

Neni 41/pika 4

  1. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.

Neni 49

1.Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.

  1. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.

Neni 51

  1. E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar.

  2. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.