“Paga e luftës”/ Sot përfituan 9 506 punonjës e të vetëpunësuar dhe mbi 5 600 biznese
9 506 punonjës e të vetëpunësuar dhe mbi 5 600 biznese kanë përfituar sot, “pagën e luftës” të ofruar si mbështetje e drejtpërdrejtë nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama ndau sot informacionin e ditës së sotme për pagat e luftës për biznesin e vogël që ka mbyllur aktivitetin.
Kryeministri tha se “mbi 36 400 biznese të fashës 0-14 mln (140.000USD) xhiro në vit, me mbi 61 mijë të punësuar e vetëpunësuar, kanë dorëzuar aplikimet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të marrë ‘pagën e luftës’”.
Ndërkohë, për të gjithë të punësuarit e pamundësuar për punë nga lufta në sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë, Rama tha se “qeveria po vlerëson mundësitë për të adresuar hallin e tyre në Paketën e Zgjeruar”.
“Çdo vend pune është jetik për ata që e kanë dhe për familjen tonë të madhe. Ndaj së bashku me çdo kompani e punëdhënës, por edhe në reflektim të solidaritetit e përgjegjshmërisë së tyre sociale, ne do të bëjmë çmos ta mbajmë aktive këtë armatë punonjësish, që nesër do të jenë në vijën e parë të betejës për shërimin e ekonomisë sonë të plagosur nga lufta”, shtoi Rama.