Manastirliu: Baret dhe restorantet mund të hapen më 18 maj
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur strategjinë e rihapjes graduale për javën në vijim.
Manastirliu tha se duke vlerësuar situatën dhe të dhënat sipas draft-planit, nga 18 maji e në vazhdim do të vlerësohet hapja e njësive të shërbimit si bare dhe restorante, vetëm për mjediset e hapura.
“Në vijim të draft-planit, dhe e përsëris draft-plan pasi do të vlerësohet situata në dinamikë, nëse të dhënat do të jenë të qëndrueshme, bazuar në kriteret e përcaktuara nga ekspertët, nga 18 maji e në vijim, sipas disa hapave të mëtejshëm, do të vlerësojmë dhe hapjen e njësive të shërbimit, bare e restorante, vetëm për mjediset e hapura sipas protokolleve të ruajtjes së distancës dhe kushteve higjieno-sanitare”, tha Manastirliu.
Manastirliu përsëriti se ky plan tentativë do t’i shërbejë njësive të shërbimit, bare dhe restorante për t’u përgatitur për organizime në kushte të reja të sjelljes dhe shërbimit.
Gjatë prezantimit të planit të rihapjes Manastirliu konfirmoi se kufizimet në këtë plan do të vijojnë për aktivitetet sportive, kulturore e sociale, grumbullimet me më shumë se 5 persona dhe që konsiderohen me risk të lartë.