Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretet e Metës, Alket Hyseni tregon detajet nga mbledhja

Komisioni parlamentar i Ligjeve i mbledhur online ditën e sotme, rrëzoi dy dekretet e Presidentit Ilir Meta dhe ia çon ato për votim Parlamentit.

Deputeti i Sarandës, Alket Hyseni, ka treguar dekretet e rrëzuara.

“Sot, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, rrëzuam Dekretin nr. 11.456, datë 26.03.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 1, datë 31.01.2020 të Këshillit të Ministrave “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, si dhe Dekretin nr. 11.457, datë 26.03.2020 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proçeseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Gjithashtu, miratuam projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike” dhe Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA CBC Shqipëri – Kosovë alokimet e vitit 2018”.

Puna vazhdon, lufta ndaj krimit të organizuar, organizatave kriminale dhe terrorizmit vazhdon pa kompromis dhe pa u ndalur, pavarësisht përpjekjeve për të na penguar, për qëllime të axhendave dhe interesave personale të ndonjë institucioni kushtetues të dalë nga shinat e saj.
Vazhdon pa ndalesa(edhe pse me pengesa) puna për regjistrimin e tokës bujqësore dhe për të zgjidhur problematikat e pronave të krijuara në 30 vite”, shkruan Hyseni. /Sarandanews.com/