Ja urdhri i ri për lëvizjen, oraret dhe bizneset e lejuara
Duke filluar sot zgjatet fasha e orarit për mbajtjen hapur të bizneseve të lejuar gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga koronavirusi. Bizneset do të qëndrojnë të hapura nga ora 05:00 deri me 17:30.
Orari i lejuar për të lëvizur me leje vetëm një person brenda familjes për 90 minuta do të jetë brenda kësaj fashe orari nga 05:00 deri në 17:30. Lejohen të kryejnë aktivitetin e tyre vetëm në fashën orare 05:00-17:30, duke filluar nga dita e hënë 13.04.2020, pikat e shitjes së produkteve ushqimore, me pakicë dhe shumicë, pikat e tregtisë së barnave, produkteve mjekësore dhe institucionet financiare.
Hyrja në aktivitete e përcaktuara lejohen vetëm për një person të autorizuar, për çdo familje për kryerjen e shpenzimeve familjare ditore. Autorizimi do të jetë vetëm një herë në ditë dhe do të ketë një afat prej 90 minutash gjatë fashës orare 05:00 deri në 17:30.
Ajo që bie në sy është zgjatja e ndalim qarkullimit të qytetarëve dhe çdo lloj mjeti në fundjavë duke filluar nga e premtja, 17 prill në orën 17:30 deri të hënë e 20 prillit në orën 05:00 deri në një urdhër të dytë
Gjatë kësaj fashe orari në fundjavë nuk do të lejohet asnjë lloj biznesi hapur, as farmacitë, marketet apo bizneset e tjera që lejohen të hapura gjatë javës nga ora 05:00-17:30. Përjashtim nga urdhri bëjnë vetëm transporti i mallrave, policia, urgjenca, mediat dhe shërbimet delivery.
“Kufizim lëvizje në të gjitha qendrat urbane në Shqipëri për të gjitha kategoritë, këmbësor, biçikleta, ciklomotor, motomjete dhe mjete dhe ndalim ofrimi të shërbimeve për qytetarët nga aktivitete e lejuara, çdo fundjavë duke filluar nga e premtja, 17 prill, nga ora 17:30 deri të hënën në orën 05:00.
Përjashtohen nga ky rregull të gjitha mjetet e transportit të mallrave, policia e shtetit, forcat e armatosura, njësitë kritike të shërbimeve shtetërore dhe kompanitë mediatike dhe shërbimet delivery”, shkruhet në vendim.