Histori shprese: Nënë Veziko nga Vlora lë spitalin pasi mposhti koronavirusin
E kapur për krahu me mjekun që e shëroi, e veshur me të zeza si një gjurmë e lënë nga jeta, por e lumtur, ka lënë spitalin një tjetër e moshuar e cila triumfoi në betejën me COVID-19.
Nënë Veziko, 80-vjeç u shtrua para 14 ditësh në spitalin Infektiv dhe ishte në gjendje të rëndë në terapi intesive, por nuk e lejoi koronavirusin që ta mundte. Sot ajo është kthyer në shtëpi, më e fortë se kurrë, dhe do të ketë një histori më shumë për t’u treguar nipërve dhe mbesave nga jeta e saj, e cila ka qenë jo pak e lehtë për t’u jetuar. Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Nënë Veziko u shtrua në spitalin infektiv 14 ditë më parë, në gjendje shumë të rëndë, me vështirësi në frymëmarrje. Pas disa ditësh në terapi intensive, (CPAP) falë trajtimit me terapi mjekimi bashkëkohore, 80-vjeçarja nga Vlora sot kthehet në shtëpi”, shkruan Manastirliu.