Greqi, çfarë duhet të bëjnë shtetasit shqiptarë që të mos penalizohen
Më në fund, polica greke jep sqarimet e veprimeve që duhet të bëjnë shtetasit shqiptarë për të mos u penalizuar për tejkalimin e afatit 90 ditor në zonën Shengen.
Pas një komunikimi me Drejtorinë e Emigracionit dhe Kufijve së policisë greke,na u tha se shtetasit shqiptarë që mbyllja e kufijve i gjeti brenda zonës Shengen, duhet të paraqiten në drejtoritë e emigracionit të drejtorive vendore të policisë, të shoqëruar prej personit, i cili do të marrë përsipër t’u sigurojë atyre banesë dhe shpenzimet e qëndirmit.
Personi i interesuar duhet të ketë me vete:
1- Pasaportë të vlefshme
2- 2 fotokopje të pasaportës
3- Dy fotografi tip pasaporte
4- Kërkesën për shtyrje afati të qëndrimit në zonën Shengen (plotësohet pranë sportelit)
5- Deklaratë e personit që siguron strehim (plotësohet pranë sportelit)
6- Lejen e qëndrimit dhe pasaportën, ose kartën greke të identitetit të personit që garanton shpenzimet.
7- Vleren monetare prej 50 euro për ditë qëndrimi të personit të interesuar (vlera e parave vetëm tregohet dhe nuk përbën garanci dhe nuk mbahet në asnjë rrethanë prej autoriteteve)
8- Dokument që vërteton vendin e banimit të garantuesit (fletën e zyrës së financës E3).
9- Sigurim shëndeti në udhetim (pranohet edhe në email)
10 -Një numer telefoni ose email për kontakt emergjence.
Policia sqaron se rastet verifikohen një nga një dhe personi i interesuar njoftohet prej autoriteve direkt ose brenda 24 orëve për ecurinë e kërkesës së tij. Autoritet greke besojnë se në vend ndodhen të izoluar dhe pa mundësi të largohen, më shumë se 5000 shtetas shqiptarë.