Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Meta tregon detaje: Rama dhe ministrat na treguan masat e marra, Basha tregoi sugjerimet e opozitës

Presidenti Ilir Meta në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka treguar detaje se çfarë ka diskutuar me Ramën, ministrat, kreun e Kuvendit dhe kreun e opozitës.

Në një njoftim për mediat, Meta bën me dije se në këtë takim virtual është diskutuar për masat që janë marrë dhe po merren nga Qeveria për përballimin e situatës në vend dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të COVID-19.

Po ashtu është diskutuar për përballimin e situatës ekonomike, nga efekti i sjellë nga përhapja e COVID-19 dhe masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptare, të cilët kjo situatë i ka gjetur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kreu i Shtetit shprehet se është informuar nga Rama dhe ministrat për të gjitha masat e marra, ndërkohë që nga Basha ka dëgjuar sugjerimet që jep opozita për zgjidhjen e kësaj çështje.

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA

Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u zhvillua sot mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nëpërmjet një video-konference. Në këtë mbledhje morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Sh.T.Z Gramoz Ruçi, Kryeministri Sh.T.Z Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe Kryetari i Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha.

Çështjet e diskutuara ishin: Masat që janë marrë dhe po merren nga Qeveria për përballimin e situatës në vend dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të COVID-19; Përballimin e situatës ekonomike, nga efekti i sjellë nga përhapja e COVID-19; Masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptare, të cilët kjo situatë i ka gjetur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Rama dhe anëtarët e qeverisë informuan për masat e marra dhe për skenarët që do të duhet të përballohen në varësi të zhvillimit të situatës. Kryetari i Kuvendit z.Ruçi shprehu gatishmërinë për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë. Kryetari i Partisë Demokratike z.Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për të përballuar këtë pandemi.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, dhe pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë situatë të vështirë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë. Presidenti Meta shprehu besimin se në këtë frymë uniteti, gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi do ta përballojë me sukses këtë situatë të vështirë, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën, në interesin me të mirë të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Mbledhja e KS është zhvilluar sot në kohën kur numri i prekurve me Covid-19 në vendin tonë ka shkuar në 146, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 5. Ndërkohë harta e të prekurve në vend sa vjen dhe zgjerohet. Sot janë shënuar të infektuar edhe në Krujë. Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të qëndrojnë brenda.