Masat për koronavirusin, Rama: Nga nesër postblloqe, gjobë 5000 euro kush thyen karantinën
Përmes një komunikimi të shkurtër në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama shpalli dhe masën më të re për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Sipas kryeministrit, nga nesër do të dalin në rrugë patrulla të përbashkëta të Policisë së Shtetit dhe asaj ushtarake që do të kontrollojnë personat që vijnë nga vendet e prekura nga Covid-19.
Kryeministri deklaroi se kushdo që ka hyrë 14 ditët e fundit nga Italia dhe ka dalë në rrugë do të gjobitet me 5000 euro.
“Një formacion i përbashkët i Policisë së Shteti dhe asaj Ushtarake do t’u ngrejë postblloqe automjeteve dhe do të ndalojë apo verifikojë nëse në mjet ka njerëz të ardhur nga Greqia apo Italia që nuk iu lejohet të dalin nga shtëpia. Kush kapet në rrugë do të dënohet me 5000 euro gjobë dhe do të ndalohet të ikë drejt Italisë pa paguar gjobën”, u shpreh kryeministri.