Lufta kundër kanabisit, Aliaj: Gjirokastra do fshihet nga harta e zonave të kultivimit të bimëve narkotike
Në Gjirokastër është zhvilluar mbledhja mes perfektit të qarkut dhe kryetarëve të Bashkisë Tepelenë dhe Memaliaj.
Qëllimi i takimit ishte mobilizimi për luftën kundër kanabisit për qarkun e Gjirokastrës.
Synimi është që brenda afatit të përcaktuar nga Ministri i Brendshëm, është e domosdoshme që territori i qarkut Gjirokastër të fshihet nga harta e zonave të kultivimit të bimëve narkotike.
“Prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim pune me pjesëmarrjen e Prefektit të qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, kryetarit të bashkisë Tepelenë z. Tërmet Peçi, kryetarit të bashkisë Memaliaj z. Gjolek Guci dhe shefit të Komisariatit të Policisë Tepelenë z. Elidon Çela.
Ky takim u zhvillua në zbatim të detyrave të përcaktuara nga Ministri i Brendshëm z. Sandër Lleshaj në kuadër të kontrollit dhe mbrojtjes së territorit, veçanërisht për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Prefekti i qarkut theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të gjithë strukturave përgjegjëse me komunitetin dhe kërkoi angazhim maksimal në drejtim të intensifikimit të përpjekjeve të përbashkëta kundër kultivimit të bimëve narkotike në qarkun Gjirokastër.
Në përfundim të takimit, Prefekti i qarkut theksoi se brenda afatit të përcaktuar nga Ministri i Brendshëm, është e domosdoshme që territori i qarkut Gjirokastër të fshihet nga harta e zonave të kultivimit të bimëve narkotike dhe gjithsecili të mbajë përgjegjësinë që i takon në përdorimin e ligjshëm të territorit në ngarkim”, thuhet në njoftimin e Perfektit të Gjirokastrës. /Sarandanews/