Italianët e izoluar në Shqipëri/ Familjet në jug: Këtu jemi më të sigurt
Konsullata Italiane e Gjirokastrës ka qenë gjatë gjithë këtyre ditëve në komunikim të vazhdueshëm me partnerët italianë të rajonit jugor, artistët, shkencëtarët, politikanët dhe ekspertët që kanë prej vitesh një bashkëpunim të ngushtë me jugun e Shqipërisë në projekte që prekin shumë fusha.
Konsulli i Nderit Teodor Bilushi thotë se situata është më e vështira që po kalon Italia që prej luftës së Dytë Botërore dhe në planin shëndetësor një emergjencë e tillë nuk është regjistruar që prej mesjetës.
“Patjetër që është një moment i veçantë për Italinë dhe gjithë botën dhe sigurisht që të gjithë italianët që njoh po i binden rregullave për të mos pasur konsenguenca edhe më të rënda.”
Konsulli italian i nderit në Gjirokastër Teodor Bilushi thotë se shërbimet diplomatike italiane po mbajnë kontakte të vazhdueshme me shtetasit italianë por në ndryshim nga shumë raste kur është kërkuar riatdhesimi në Shqipëri italianët janë ndier më të sigurtë dhe ata janë duke zbatuar rregullat e vendosura nga qeveria shqiptare.
“Ka disa familje italiane në Jug të Shqipërisë, 6 të tilla janë në Sarandë. Unë mbaj kontakte të vazhdueshme me ta dhe të gjithë do të qëndrojnë këtu sepse ndihen më të sigurtë. Italianët që gjenden në jug janë kryesisht të moshuar. Ata mbajnë kontakte të përditshme me familjet e tyre por deri tani nuk kanë kërkuar të riatdhesohen, jo përpara se situata të përmirësohet.”
Konsulli italian i nderit në Gjirokastër tha se Italia dhe i gjithë populli e çmon shumë mbështetjen dhe solidarizim me dhimbjen në këto ditë të vështira që po kalon Italia.
“Ne e përshëndesim solidarizimin e gjerë që kanë treguar qytetarët, shoqatat dhe institucionet vendore në Gjirokastër dhe qytete të tjera të jugut. Kemi parë flamurin italian të valëvitet nga kalaja e Gjirokastrës, me qindra statuse mbështetëse nga qytetarë të thjeshtë dhe kjo është një periudhë që Italia do ta kujtojë gjatë.”