Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj shtyn për herë të dytë përballjen me KPK
Seanca dëgjimore për gjyqtarin e Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj dështoi të zhvillohej të hënën më 9 mars në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkak se subjekti i rivlerësimit kishte dorëzuar një raport mjekësor.
Kjo është hera e dytë që shtyhet seanca dëgjimore me gjyqtarin Aliaj për të njëjtin shkak. Edhe më 4 mars, KPK njoftoi shtyrjen e seancës për shkak të raportit mjekësor të paraqitur nga subjekti.
Të hënën, kryesuesja e trupës gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit të Aliajt, Etleda Çiftja deklaroi se Komisioni kishte vendosur ta shtyjë seancën deri në një afat të pacaktuar. “Data dhe orari i seancës së radhës do të njoftohet në faqen zyrtare të KPK në internet,” sqaroi Çiftja. Relatore e çështjes së Aliajt është Xhensila Pine, ndërsa anëtare Brunila Bekteshi.
Petrit Aliaj e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtar në Delvinë dhe në Sarandë. Në vitin 2004, Aliaj u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me motivacionin “Për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës”, ndërsa një vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e riktheu atë në punë në vitin 2006.
Pavarësisht trajektores së ndërlikuar të karrierës së tij, Aliaj u promovua në detyrë në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës.
Në vitin 2015, ai u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi të pushojë çështjen penale kundër tij.
Aliaj ka deklaruar se kishte punuar si avokat për kompanitë e vëllezërve Balili në Delvinë.