Erdhi në Vlorë 6 vjeç, tashmë jeton në Izrael/ Rafo Jakoel, një jetë e ndarë mes tre shteteve
“Kemi punuar me përkushtim dhe puna na është vlerësuar nga pushteti i kohës. Kam punuar jo duke e konsideruar pronën e shtetit, por si pronën e babait tim”. Me këto fjalë e nis rrëfimin e tij për ATSH-në, 83-vjeçari Rafo Jakoel, një nga pjesëtarët e komunitetit hebre të Vlorës, që sot jeton në Izrael.
Jeta e tij, ashtu sikundër edhe ajo e bashkëpatriotëve të tjerë, ka qenë tepër intensive, e mbushur me sfida. Qysh në fëmijëri është përballur me rrezikun ekstrem, por, gjithçka ka kaluar. Një jetë me peripeci, me gëzime dhe hidhërime, me halle dhe ngjarje të bukura, ashtu siç është në fakt, jeta njerëzore. Por, për Jakoelin, pinjoll i një prej familjeve më të njohura të komunitetit hebre, jo vetëm në Vlorë, por edhe në Shqipëri dhe më gjerë, jeta ka një vlerë edhe më kuptimplotë.
Ai nuk e reflekton aspak moshën. Është tepër energjik, i kthjellët dhe dinamik në bisedë. Ka punuar deri një vit më parë dhe ju desh të shkëputej nga puna (nuk e përmend fjalën pension), për shkak të ristrukturimit të kompanisë ku punonte në vendin e tij, në Izrael, në një fermë gjigande shpendësh. 60 vjet punë, nga viti 1959 kur përfundoi studimet për Veterinari në Universitetin e Tiranës dhe deri në shkurtin e vitit 2019, kur, vendi i tij i punës si kontrollor veterinar, u shkurtua.
Jeta e Jakoelit, është e ndarë mes tre shteteve, Greqisë, Shqipërisë dhe Izraelit. Dhe, mes tyre, periudha në Shqipëri, është më mbresëlënësja. Megjithëse jeton në Izrael, për të Shqipëria mbetet vendi ku kaloi pjesën më të bukur të jetës, ku punoi me përkushtim, ku lidhi miqësitë, ku u përball me vështirësitë, ku dashuroi, ku krijoi familje, ku lindi fëmijët, Rozana dhe Viktor ku u zhgënjye dhe triumfoi, ku njohu njerëzoren, të keqen, të mirën. Ku u formua si specialist, si shkencëtar në arritjet profesionale, ku punoi në disa ndërmarrje e institucione, ku u vlerësua me medaljet më të larta për kohë, ku mori gradën shkencore “Kandidat Shkencash”
Për të Vlora, mbetet qyteti i jetës së vet. Erdhi këtu pak më shumë se 6 vjeç , në shkurt të vitit 1944 dhe u largua prej këtej plot 47 vjet më vonë, në shkurt të vitit 1991. Duke lënë pas qytetin që i dha jetë, atij dhe pjestarëve të tjerë të familjes, ku jetoi fëmijërinë, rininë, ku përjetoi emocionet e punës, një punë më shumë se tre dekadëshe.
-Mbërritja në Vlorë, nga Janina-
“Ishte muaji shkurt i vitit 1944, kur ne mbërritëm në Vlorë nga Janina; ishim ne, tre vëllezër dhe nëna jonë, Ana. Babai, Isak Jakoel, na priste në Vlorë, ku kishte shkuar për tregti dhe nuk kishte mundur të kthehej. Në fakt, rreziku për ne, komunitetin hebre në Janinë, ishte shtuar dhe, mundësia më e mirë për të shpëtuar nga përndjekja e gjermanëve, ishte Shqipëria, ishte Vlora, ku jetonte edhe xhaxhai, Rafael Jakoel, një nga tregtarët më të njohur dhe një nga njerëzit më të pasur të Vlorës.
Me një pasaportë të fallsifikuar në emrin e nënës, që kishte ndërruar identitet Xhovana Jakoelis, që na e kishte siguruar Haim Behorropullos, kundrejt pagesës, ne u nisëm drejt Vlorës. Nuk hasëm pengesa gjatë rrugës. Mbërritëm në këtë qytet, ku do të jetonim gjatë. U strehuam në një nga tre shtëpitë dykatëshe të xhaxhait tonë, Rafael Jakoel, së bashku edhe me hallën dhe bashkëshortin e saj, Eskian dhe Eliasaf Gani. Jetesa jonë në Vlorë ishte normale edhe në ato ditë të zymta të pushtimit gjerman. Ne, nuk u larguam nga Vlora, ashtu si shumë bashkëkombas tanë, që shkuan për t’u fshehur në fshatrat përreth si në Trevlllazër, Poro etj, për t’u ruajtur nga ndonjë arrestim i mundshëm prej gjermanëve. Ne, qëndruam gjatë gjithë kohës në shtëpi, të patrazuar nga askush. Babai, Isak dhe xhaxhai, Rafael Jakoel, kishin miqësi të ngushtë, shumë të afërt me parinë e asaj kohe në Vlorë.
Unë, nuk mund ta them me siguri, se nga vinte kjo situatë e parrezikshme për ne, por një gjë e them me bindje se, askush nga hebrejtë e Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë, nuk u denoncua tek gjermanët. Si në asnjë vend tjetër të botës, hebrejtë e Vlorës dhe të Shqipërisë, shpëtuan nga holokausti gjerman, nuk u deportuan në kampet e përqëndrimit siç ndodhi në vende të tjera. Dhe kjo është meritë e shqiptarëve, e vlonjatëve, e bashkëqytetarëve tanë që na ndihmuan në ato ditë të vështira. Ne, u larguam nga Janina, duke ndjerë rrezikun dhe erdhëm në Vlorë, ku gjetëm shpëtimin. Ne jetuam me vlonjatët, punuam dhe jetuam bashkë me ta për shumë vite. Këtu na gjeti edhe paslufta”.
Kështu e tregon Rafo Jakoel, gjithë momentin e ardhjes në qytetin e Vlorës dhe jetën gjatë pushtimit gjerman. Teksa shpreh mirënjohjen për bashkëqytetarët vlonjatë, për ndihmën dhe mbështetjen që u dhanë për të mbijetuar përballë rrezikut të asgjësimit nga pushtuesit gjermanë, ai flet për pjesën tjetër të jetës në Shqipëri, në qytetin e Vlorës, ku jetoi deri në vitin 1991.
-Jeta pas vitit 1944-
Paslufta u duk se do të ishte e qetë për komunitetin hebre në Vlorë. Pas periudhës së frikës nën pushtimin gjerman, tregtarët ju rikthyen aktivitetit normal dhe synimit për të zhvilluar dhe zgjeruar më tej atë.
Por, kjo nuk do të zgjaste shumë. Do të kalonin vetëm pak muaj pas çlirimit dhe pushteti i kohës do të miratonte Ligjin Nr.37 “Për tatimin e jashtëzakonshëm të fitimeve të luftës”, që u hapi rrugë veprimeve për të goditur tregtarët dhe njerëzit e pasur.
Objekt i këtyre goditjeve ishin edhe tregtarët e pasur hebrej të Vlorës, mes të cilëve edhe Rafael Jakoel, në biznesin e të cilit punonte edhe vëllai i tij, Isak, babai i Rafos.
“Na morën gjithçka, na nxorrën edhe nga shtëpia e madhe në qendër të Vlorës. Xhaxhain, Rafael, e çuan në një banesë përdhese që frynte nga të katër anët, më keq se kasolle, në rrugën “Justin Godard”, ndërkohë që, ne, tre vëllezërit, babai dhe nëna, u sistemuam me qera në një dhomë tek shtëpia e familjes Sallata, në qendër të qytetit. Pronari i kësaj shtëpie të madhe, ishte Pal Sallata, babai i dy heronjve të Luftës, Mitaq dhe Lef Sallata”. Teksa përshkruan këto momente që përkojnë me vitin 1950-të, Rafo Jakoel, i dridhet paksa zëri. Ishin muaj të vështirë për familjen, e cila kishte lënë pas një standard mjaft të mirë jetese, me një shtëpi të bollshme, për t’ju përshtatur kushteve të tjera të vështira, kur duhet të siguronin edhe mjetet e nevojshme financiare për të përballuar përditshmërinë. “Ishim mjaft ngushtë, pesë vetë në një dhomë”, tregon 83 vjeçari. Dy vjet pas kësaj zhvendosen në një banesë në kushte sërish të vështira, ku mungonte edhe uji dhe, më vonë, në një tjetër mjedis strehimi. Deri sa, secili prej fëmijëve krijoi familjen e vet dhe jetën e pavarur në banesa respektive, ndërkohë që kishin hyrë gradualisht në rrjedhën e normalitetit.
Babai, Isak Jakoel punoi si llogaritar në Arkën e Kursimit në Vlorë dhe më pas, në të njëjtin profesion në ish Kombinatin e Peshkut, në këtë qytet.
Vetë Rafo, me pasionin për t’u arsimuar, e vazhdoi këtë rrugë me këmbëngulje. Mbaroi shkollën e mesme në Gjimnazin “Ali Demi”, duke qenë brezi i katërt i maturës në këtë shkollë, shok klase me bashkëqytetaren Aneta Rama, nëna e Kryeministrit, Edi Rama. Pas kësaj ai ndoqi studimet për Veterinari në Institutin e Lartë Bujqësor, të cilin e përfundoi në vitin 1959, kur nisi punë në këtë profesion, në Fermën Bujqësore të Llakatundit. “Ishte një periudhë intensive dhe mjaft tërheqëse për mua”, shprehet Rafo për ATSH-në, ndërkohë që, thotë se, dy vjet pas kësaj emërohet specialist në Seksionin e Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës. “Kisha miqësi me shefin e Seksionit, A.Dupi, i cili ndikoi për emërimin tim”, thotë 83 vjeçari, që i kujton me nostalgji ato vite kur, punonte me përkushtim dhe pasion.
Gjatë pothuajse 14 viteve punë në këtë detyrë, 1962-1975, Rafo Jakoel, ju përkushtua edhe kualifikimit akademik. Punoi për disertacionin dhe arriti të merrte gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” në veterinari, ndërkohë që, në vite ndryshuan edhe detyrat. Punoi më tej në kooperativën e Novoselës dhe së fundi në Ndërmarrjen e Shpendëve, ose Pularinë e Vlorës, ku u emërua në detyrën e kryespecialistit.
Këtu e mbylli edhe aktivitetin e tij profesional në Vlorë, deri në shkurt të vitit 1991, kur, së bashku me familjen u largua përfundimisht drejt Izraelit. Por, për të, këto 32 vjet mbetën një periudhë e bukur, me emocione të mëdha, një margaritar në jetën e tij. “Punova me përkushtim, me pasion, me ndërgjegje, jo si të isha në punën apo pronën e shtetit, por sikur të isha në pronën e babait. Por, megjithatë, pushteti i kohës ma vlerësoi këtë përkushtim dhe unë i jam mirënjohës, ashtu siç u jam mirënjohës gjithë miqve e shokëve të mij në Vlorë, të cilët më mbështetën, siç u jam mirënjohës vlonjatëve”, thotë Rafo, ndërkohë që zëri i dridhet paksa.
Rafo është një prej dhjetra hebrejve të Vlorës, që lanë pas aq shumë kujtime në këtë qytet. Që jetuan e punuan së bashku, që lidhën miqësi të forta dhe krushqi domethënëse, që përballuan me njeri tjetrin jetën, vështirësitë, që ditën të ndanin humanizmin e vërtetë nga mbrapshtitë e sistemit totalitar.
Kjo e bën edhe më të bukur, më të fortë, më simbolike këtë bashkëjetesë që do të mbetet në kujtesën historike të Vlorës. Sepse, roli dhe kontributi i komunitetit hebre në këtë qytet, është i pashlyeshëm. Këtu ata ruajtën dhe forcuan edhe zakonet e tyre të traditës, siç ishte ai I trashëgimit të emrave dhe që Rafo e sjell në bisedë me krenari, si element identiteti.
Komunikojmë përmes celularit në video në WhatsApp dhe dukemi sikur jemi përballë njeri tjetrit në tavolinë. Unë, duke u përpjekur të fiksoj çdo gjë në memorie nga kjo bisedë dhe, ai i mallëngjyer teksa sjell ndër mend ato vite. “Jam dekoruar dy herë me Urdhrin e Punës, vlerësimi më i lartë për kohën dhe unë i ruaj ato me shumë kujdes, si dëshmi dokumentare e një periudhe mjaft të rëndësishme për mua, ashtu siç ruaj çdo dokument që vërteton punën time”.
Rafo Jakoel, nuk i fsheh emocionet teksa sjell këto kujtime nga Shqipëria, nga Vlora e tij, ku erdhi 6 vjeç e gjysmë dhe prej ku iku, 53 vjeç. Këtu, ku u njoh me Mirelwn dhe krijoi familjen e vet të bukur.
Është një jetë, janë kujtime që nuk mund të fshihen. Ato e emocionojnë, e prekin. Mban lidhje me shokë e miq në Vlorë, komunikon me ta sa herë, në raste gëzimesh dhe hidhërimesh. Ndërkohë, nuk harron të thotë se edhe në vendin e vet, në Izrael, aty ku jeton prej pothuajse 30 vitesh, nuk e pati të lehtë. Ju desh kohë të përshtatej, të punonte, të lodhej, të sakrifikonte që të arrinte aty ku është sot, një qytetar i nderuar, ashtu siç ka qenë gjithë jetën e tij. Profesioni dhe arsimimi në Shqipëri, i vlejtën edhe aty. Punoi si kontrollor veteriner në një Ndërmarrje të madhe, ndër më të mëdhatë e llojit të vet në vend, një kombinat ku mbarështoheshin dhe përgatiteshin për nevojat e konsumit për treg, shpendë, pula dhe gjela deti. Prej këtu, çdo ditë shkonin për tregun 100 mijë pula dhe gjela deti, të mbarështuar sipas një teknologjie të veçantë, karakteristikë për Izraelin dhe unikale në botë. “Punova deri një vit më parë, deri në moshën 82 vjeçare. Do kisha vazhduar akoma, por u ristrukturua vendi im i punës, për shkak se ndryshoi skema nga prodhimi, therrja dhe dërgimi në destinacion”, thotë Rafo, me një buzëqeshje të lehtë.
Dhe, teksa i themi “mirupafshim” njëri-tjetrit, ai heq kufjet profesionale, që e kishin ndihmuar të ishte më i përqëndruar në bisedë. “Mirupafshim Harilla, mirupafshim Vlora ime”, dëgjoj zërin e tij teksa humbet në ato qindra kilometra largësi.
Mirupafshim mik. Faleminderit që nuk e harroni Vlorën tonë, Vlorën tuaj. Që nuk lini rast pa përmendur dhe pa promovuar emrin e saj, njerëzit e saj të mirë e punëtorë, të besës dhe të fjalës, që ju gjendën pranë në momente të vështira të jetës tuaj./