Abuzimi me çmimet, Çuçi: Kemi kryer 140 inspektime, janë vendosur gjobat para
Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi ka deklaruar se abuzuesit me çmimet e fruta-perimeve nga situata e krijuar, do të ndëshkohen. Z. Çuçi tha se, gjatë ditës së djeshme ka pasur 140 inspektimi ku janë vendosur dhe gjoba.
Ministri nënvizoi se kontrolli do të shtrihet në të gjithë vendin, ndërsa shtoi se fillimisht abuzimet janë vërejtur në Tiranë dhe Durrës. Për kontrollin e çmimeve, z. Çuçi theksoi se është ngritur dhe një Task-Forcë.
“Dje ka pas kontrolle në Tiranë dhe Durrës, kryesisht por edhe në Korçë dhe Fier. Janë bërë 140 inspektimet e para dhe janë vendosur dhe gjobat e para. Ndërsa sot në 5 të mëngjesit ka pasur kontrolle në pikat e shumicës, pasi siç ka dalë nga media por edhe vetë prononcimi i vetë tregtarëve të vegjël, pretendonin se çmimet i ngre shumica”, deklaroi ministri i Bujqësisë.
Nga kontrollet në pikat e shumicës, z. Çuçi tha se një subjekt është dërguar për ndjekje penale ndërsa shtoi se kontrollet do të vijojnë dhe në ditët e ardhshme për të parandaluar abuzimet me çmimet.
Ndërsa për rrezikun e mungesës së furnizimeve në tregje, ministri i Bujqësisë garantoi se nuk do të ndodhi një situatë e tillë pasi është garantuar që të mos pengohet si prodhimi vendas ashtu dhe importi.