Rrëzohet urdhri i Ministrisë së Financave për “duty free”, gjyqtari i jep të drejtë gruas së Gjin Gjonit: Do ta kuptoni ku fle lepuri. Reagon Ambasada e SHBA
Gjykata Administrative ka pranuar padinë e shoqërisë ADFD për shërbimin “duty free” në Rinas. Gjykata rrëzoi urdhrin e Ministrisë së Financave që i anuloi lejen e shfrytëzimit për 5 vjet të tjera të “duty free” ne Rinas nga ADFD.
Të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit ishin edhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë.
Gjyqtari Avdi Sejdi pasi shpalli vendimin iu tha të pranishmëve: “Kur ta merrni vendimin e arsyetuar lexojeni me kujdes dhe do ta kuptoni se ku fle lepuri”.
Pas vendimit, ka reaguar e zhgënjyer edhe Ambasada e SHBA në Tiranë, duke qenë se Gjykata ka favorizuar gruan e Gjin Gjonit, në dëm të një kompanie amerikane.
“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
“Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset.
Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme”, vijon deklarata.
Gjyqtari Avni Sejdi e argumentoi vendimin e tij përgjatë një ore, duke fajësuar Ministrinë e Financave se me veprimet dhe mosveprimet e saj kishte shkaktuar pamundësinë e vendosjes së ligjshmërisë në këtë çështje.
Kompania ADFD në pronësinë e Elona Çaushit, bashkëshorte e gjyqtarit Gjin Gjoni zotëronte më parë autorizim nga Ministria e Financave për të ushtruar aktivitetin në zonën pa taksa të aeroportit të Rinasit. Sipas gjyqtarit Sejdi, para skadimit të afatit 5 vjeçar të këtij autorizimi, Ministria e Financave nuk ishte shprehur brenda afatit ligjor 60 ditor për vazhdimin ose jo të autorizimit.
Gjyqtari shtoi se ADFD ka kërkuar rinovimin automatik të kontratës, gjë që është pranuar fillimisht nga Ministria e Financave, pavarësisht se ka pasur mangësi të dokumentacionit të nevojshëm. Më pas, me kërkesë të TIA, Ministria e Financës e ka anuluar autorizimin.
Gjyqtari Sejdi pranoi se në kërkesën për rinovimin automatik të autorizimit, paditësi ADFD nuk kishte dorëzuar dokumentacion të plotë, siç është kontrata e qirasë së ambienteve si dhe nuk e kishte njoftuar ministrinë për mbarimin e kontratës.
Por ai fajësoi sërish Ministrinë.
“Midis paditësit dhe aeroportit Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ nuk kishte një kontratë qiraje dhe Ministria e Financave e dinte këtë gjë. Ndërsa tani bënë të paditurin…,”deklaroi më tej Sejdi.
Duke argumentuar se anulimi ka të bëjë me të shkuarën, ndërsa revokimi me të ardhmen, gjyqtari tha se Ministria duhej të kishte bërë revokimin e autorizimit për ADFD.
Gjyqtari Sejdi u ndal edhe në procedurën e ndjekur nga Ministria e Financave për nxjerrjen e aktit administrativ për anulimin e autorizimit dhe për njoftimin e tij kompanisë ADFD.
“Nga ana e Ministrisë së Financave nuk janë respektuar të drejtat e paditësit për t’u dëgjuar, për të dorëzuar prova apo për dëshmitarë. Njoftimi është bërë në të njëjtën ditë kur ka dalë akti, duke i cënuar paditësit të drejtën për t’u dëgjuar,” tha Sejdi, duke e konsideruar jo-ligjor procesin e ndjekur nga Ministria e Financave.
Kompania “Albanian Duty Free Distribution” shfrytëzon prej kohësh hapësirën “duty free” në Aeroportin e Rinasit. Pronarja e vetme e saj, është Elona Çaushi, bashkëshortja e gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni.
Keqardhje në lidhje me këtë vendim ka shprehur edhe Ministria e Financave, megjithëse ka qenë po ky institucion që përmes dy vendimmarrjeve, fillimisht dhënien e licencës dhe më pas anulimin e saj, u bë shkak për këtë përplasje në gjyqësor.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndaj çështjes administrative civile, mbi vendimin administrativ për anulimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop”, thuhet në reagimin e MF.
Ministria nuk komenton vendimmarrjen, por thekson rëndësinë që ka sistemi gjyqësor në klimën e biznesit dhe forcimin e shtetit të së drejtësi, edhe si një prioritet i Qeverisë shqiptare.
Dhoma Amerikane e Tregtisë e cilësoi rastin në fjalë si shembull tipik i burokracive dhe pengesave të vazhdueshme që burojnë nga institucionet e drejtësisë shqiptare, që për investitorët e huaj janë absurde.
“Jemi të shqetësuar për ngjarjen, jo vetëm për investitorin amerikan në fjalë, por për mesazhin negativ që u jepet investitorëve të huaj që duan të vijnë në Shqipëri. Shumë njerëz, duke u nisur nga një rast i tillë, por edhe nga klima e përgjithshme, nuk e shohin klimën të mirë.
Shumë investitorë të huaj mendojnë që që është e vështirë që të bësh biznes në Shqipëri. Ky është një rast që ka marrë një kohë shumë të gjatë”, deklaroi presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaçe.
Jaçe thotë se rasti i “International Cruise Duty Free” nuk është i vetmi dhe se ka edhe shumë kompani të tjera amerikane që po hasin vështirësi nga faktorë të shumë, që në përgjithësi e bëjnë klimën e biznesit të pafavorshme.